Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Gjirokasër dhe kandidati për deputet, Bledi Çuçi, ka vijuar me takimet elektorale në fshatrat e Lunxhërisë. Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Çuçi solli në vëmendje ndër të tjera edhe mbështetjen me subvencione për fermerët përmes një skeme transparente.
“T’ju marr vetëm shembullin e subvencioneve nga shteti. Më parë nuk kishte asnjë standard të qartë, asnjë procedurë të qartë apo garë të ndershme. Ose të mbanin peng për votën ose të merrnin gjysmat e parave. Sot është komplet një realitet tjetër. Aplikohet nga celulari, me transparencë të plotë. Me aq para sa më dhanë në dispozicion, 80% ia dedikova blegtorisë”, tha Çuçi.
Sipas tij sot për sot Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë që mund të vijojë rrugën drejt Shqipërisë së ardhme. Çuçi solli në vëmendje menaxhimin e dy fatkeqësive, tërmetin dhe pandeminë.
“Kemi dëshmuar që kemi përgjegjshmërinë e duhur për të udhëhequr Shqipërinë. Vijmë tek njerëzit dhe nuk fshihemi sepse kemi thënë atë që do bënim dhe bëmë atë që thamë në funksion të vizionit tonë që kemi për Gjirokastrën. Nuk mbaj mend një vepër qe kanë bërë qeveritë e kaluara për Gjirokastrën, një vepër. Ne kemi investuar si askush më parë në infrastrukturë dhe në politikat nxitëse”, tha Çuçi.