Evis Kushi ka marrë pjesë sot në një aktivitet ndërgjegjësues të organizuar nga “Green School Elbasan” në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin.
“E mirëprita menjëherë ftesën për të marrë pjesë në “vrapimin stafetë” bashkë me nxënës, mësues e prindër në kuadër të ndërgjegjësimit për më shumë mbështetje e përkujdesje ndaj fëmijëve me çrregullim të spektrit autik” – shprehet Ministrja Kushi në publikimin e saj.
Ndërkohë, ajo nënvizon edhe rëndësinë që Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) i kushton politikave të gjithëpërfshirjes:
“Çdo politikë e vendim që marrim në MASR ka gjithmonë në fokus gjithëpërfshirjen! Rritja vit pas viti e numrit të mësuesve ndihmës dhe dyfishimi i punonjësve të shërbimit psiko-social është dëshmi e qartë e vëmendjes sonë ndaj gjithëpërfshirjes” – cilëson Ministrja Kushi.