Kandidatët e Partisë Socialiste të Durrësit kanë zhvilluar një takim me banorët e e Fermë-Xhafzotaj, pjesë e njësisë administrative Rrashbull. Takimi është hapur nga deputeti aktual i PS Roland Xhelilaj, i cili është shprehur i bindur se banorët e Fermë-Xhafzotaj do të vazhdojnë të mbështesin Partinë Socialiste edhe në zgjedhjet e 25 prillit. Në mënyrë që fitorja për mandatin e tretë të jetë e sigurt, Roland Xhelilaj iu bëri thirrje banorëve që në ditët e mbetura deri në datën 25 të bindin këdo që është i pasigurt për të votuar që në 25 prill të votojnë Partinë Socialiste, si e vetmja forcë që garanton zhvillimin dhe ecjen para të vendit.
Ana Dhamo: PS e tregoi veten, përballoi me sukses sfidat e tërmetit dhe pandemisë
Kandidatja Ana Dhamo kërkoi nga mbështetësit e PS që të bindin të gjithë personat për të votuar alternativën socialiste në 25 prill. Ajo tha në këtë takim se: “Partia Socialiste e ka treguar që është një forcë politike që ka në plan të parë punën, zhvillimin e vendit dhe përballimin e sfidave. Duke përmendur tërmetin dhe pandeminë, Dhamo tha: “i përballuam me sukses edhe tërmetin, edhe pandeminë. Në 26 nëntor Durrësi u godit rëndë nga tërmeti, por kryeministri Rama, bashkia dhe gjithë strukturat vendore e përballuan me sukses këtë sfidë. Edhe pandemia ishte një tjetër fatkeqësi që u përballua me sukses që në fillim, ndërsa tani kemi filluar vaksinimin masiv ku janë vaksinuar ëm shumë se 320 mijë persona në gjithë vendin”. Ana Dhamo e mbylli fjalën e saj duke iu bërë thirrje banorëve që të votojnë në 25 prill nr 12 dhe Edi Ramën, pasi, siç u shpreh ajo, “vetëm kështu do të kemi të sigurt të ardhmen e vendit, të ardhmen e fëmijëve dhe brezave tanë”
Alban Xhelili: niveli i taksimit, sukses i PS
Alban Xhelili, kandidati që mban nr 2 në listën e qarkut Durrës, është shprehur se politikat e Partisë Socialiste në lidhje me nivelin e taksimit janë shumë pozitive. Ai tha se: “unë jam marë shumë me biznesin gjatë viteve të fundit për shkak të profesionit tim dhe e them me bindje se politika e PS në lidhje me nivelin e taksimit është një pikë e fortë e fushatës tonë. Të gjithë ata që kanë biznese e dinë se sot nuk paguajnë asnjë lek për xhiron vjetore deri në 10 milion lekë të reja. Edhe unë nëse do të kisha një biznes të vogël, do isha përkrah këtij vendimi, taksimi zero i ka dhënë një frymëmarrje biznesit të vogël, sidomos pas kësaj periudhe të vështirë që shkaktuan tërmeti dhe pandemia. Prandaj në 25 prill ne duhet të votojmë PS dhe Edi Ramën pikërisht për këtë gjë, sepse ai është alternativa më e mirë për vendin tonë”.
Emiriana Sako: 600 milion lekë investime vetëm për njësinë administrative Rrashbull
Kryetarja e bashksië Durrës Emiriana Sako tha para banorëve të zonës se rindërtimi ka qenë sfida më e madhe e dy viteve të fundit. Sako deklaroi në lidhje me këtë proces se: “ deri tani kemi dhënë për afro 12 mijë familje grante rikonstruksioni DS1, DS2, DS3 dhe kemi riparuar ambientet e përbashkëta në 400 pallate. Afro 6000 familje kanë marrë bonuesin e qirasë dhe 14 shkolla janë ndërtuar të reja, ku njëra nga këto, “Vëllezërit Haradinaj” ndodhet në njësinë tuaj administrative”. Kryetarja e bashkisë ka thënë se: “vitin e kaluar nuk bëmë dot investimet që prisnim, por këtë vit kemi një shumë prej 600 milion lekë që po investohen në projekte të ndryshme për infrastrukturën rrugore dhe kështu do të vazhdojmë vit pas viti”.