Nga Endri Kajsiu/ Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Elbasanit. Mjeku Pjerin Xhuvani është vrarë më armë zjarri në mes të qytetit. Autori i dyshuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan mësohet se është, Arbër Papleka, ish efektiv i RENEAS, shoqërues i Gazment Bardhit. Nga mediat raportohet se dëshmitarë okularë kanë thënë se Papleka ka dalë nga një furgon me logot e PD dhe ka qëlluar në drejtim Xhuvanit duke e lënë të vdekur në vend.
Por, kjo ngjarje e rëndë e cila është qartësisht me prapavijë politike, nuk ka ndodhur kaq ‘rastësisht’ sa ç’u mundua Ilir Meta dhe Lulzim Basha ta shesin. Në fakt, janë dy arsyet që mund të kenë çuar në këtë ngjarje me pasoja të rënda ku humbi jetën një qytetar dhe u plagosën 4 persona të tjerë.
Arsyeja e parë lidhet padiskutim me gjuhën e ashpër kërcënuese të Ilir Metës, i cili sot kaloi çdo limit kur u bëri thirrje qytetarëve që në mëngjes që të përlanin armët. ”T’i mprehin sfurqet e sëpatat se po u prek një votë e vetme kështu do bëjë gjithë Fieri dhe Shqipëria me në krye Presidentin”. Dhe nuk zgjati shumë dhe fjala e tij u dëgjua në Elbasan. Shoqëruesi i Gazment Bardhit i mori jetën Xhuvanit.
Arsyeja e dytë është sërish politike dhe ka të bëjë me mitingun e Partisë Socialiste dje në Elbasan, ku pjesëmarrja ishte aq e lartë sa stadiumi nuk i nxinte mbështetësit, ndaj dhe ishin vendosur monitorë jashtë stadiumit për të ndjekur takimin përmbyllës të fushatës që Rama po zhvillonte . Mesa duket, pjesëmarrja dhe entuziazmi i elbasanllinjve dje i ka acaruar deri në ekstrem demokratët të cilët kanë përlarë armët dhe në mes të qytetit kanë bërë hatanë duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve të rastësishëm.
Gjuha e Ilir Metës sot dhe mitingu i madh i PS-së dje kanë shkaktuar ngjarjen e sotme, ku ata që ndjejnë mospërkrahje politike nga qytetarët kanë kaluar në fazën e fundit të agresivitetit, vrasja.
Errësimi i syve të atyre që të pafuqishëm për të ndryshuar votën e qytetarëve dhe të inkurajuar nga gjuha agresive e Ilir Metës, ka shkuar deri aty sa kanë kryer një vrasje në mes të qytetit, si për të treguar se çmenduria e opozitës dhe Metës nuk ka asnjë limit kur vjen puna për pushtet.
Të gjitha të tjerat do i zbulojnë hetimet, por ajo që dihet sot me siguri është që Ilir Meta dhe Partia Demokratike vranë, vranë për pushtet, vranë se nuk e marrin dot pushtetin ndryshe.