Ish kreu i Komisioni të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, ka qenë i ftuar në emisionin “Log” në ABC neës për të folur për zgjedhjet e 25 prillit ku ai garon në listën e qarkut të Tiranës me numrin 23.
Në krye të emisionit, Xhafaj është pyetur nga moderatori Endri Xhafo lidhur me ngjarjen e Kavajës dhe prezencën e Metës dhe Bashës.
Deputeti socialist shprehu së pari urime për shëndet të plotë ndaj personit të lënduar, duke i bërë ftesë organeve ligjzbatuese që të punojnë për zbardhjen e ngjarjes.
Ai tha se “Qytetarët në këtë vend janë pjekur dhe kanë përgjegjshmërinë që kjo nuk është betejë mes armiqve por betejë politike”.
“Sa më pak konfliktualitet të ketë as më të lehtë do e kenë për të votuar mbi zgjidhjet dhe bindjet politike. Ata do votojnë për forca politike dhe do zgjedhin kandidatin e preferuar. Ajo që duhet të bëjmë ne politikanët është që t’i lëmë të qetë njerëzit të reflektojnë dhe të vendosin me përgjegjësi. Ata do të vendosin për fatin e tyre”, deklaroi Fatmir Xhafaj.
Sa i përket pyetjes për prezencën e presidentit dhe politizimin e ngjarjes, ai tha:
“Nga titrat tuaja shoh që presidenti do shkojë me urgjencë në Kavajë. Presidenti nuk është as polic, as Prokuror i Kavajës. Presidenti është figura më e lartë e shtetit dhe duhet të flasë i fundit në raste të tilla. Nuk duhet të ngatërrojmë retorikën e përditshme politike. Përtej kësaj retorike të përdorur në nivele të lartë, në territor nuk e shoh këtë konfliktualitet të ndezur politike të qytetarët, grupet politike”, u shpreh Xhafaj.