Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Flutura Açka, foli për zgjedhjet e 25 prillit dhe situatën në vendin tonë.
Sipas saj, në Elbasan ka qenë një situatë tejet e tensionuar, teksa deklaron se me marrjen e mandatit të tretë të Ramës, Shqipëria ka hyrë në një diktaturë të rrezikshme.
“Kam takuar dhe të majtë që prisnin kthesën. Elektorati i majtë, jo Rilindja, nuk është i gjithi në festë, ka dhe të trishtuar.
Nga mënyra se si e majta e erdhi në pushtet, domethënë Rilindja se nuk është e majtë, është e trishtueshme.
Fakti që Rama ka qenë kaq i sigurt, e kishte përgatitur marrjen e zgjedhjeve. Rama është i lodhur, por egoja e tij bëri që të marrë në këtë mënyrë mandatin e tretë.
Shqipëria është e detyruar të gjunjëzohet sot para një diktature të rrezikshme.
Pse diktaturë? Sepse mekanizmi që na çoi në këto zgjedhje, ishte i frikshëm. Vetëm etërit e komunizmit mund ta përgatisnin këtë gjë.
Pse nuk u krijuar partitë e vogla para disa vitesh, por para pak muajsh. Ato janë sponosorizime për të përçarë të djathtën.
Kovidin e përdori për të mbyllur opozitën në orën 8. Atëherë punonin bandat e Taulant Ballës. Këtu janë blerë vota dhe është një shifër e frikshme.
Flitet për miliona euro për të blerë vota në Elbasan. Në mënyrë që të merret pushteti nëpërmjet bandave të Elbasanit. Me ato para mund të ndërtoheshin shkolla dhe kopshte. A nuk është kjo një diktaturë?
Dje njerëzit që qëndronin pranë meje kanë qenë në një presion të tmerrshëm. Edhe vetë jam parë si një dele e zezë dhe jam kërcënuar.
Si është e mundur të ketë atë presion? Sot më vjen keq, sepse ata djem që kanë qenë me mua, kanë prerë biletën për t’u larguar nga Shqipëria.
Janë rrugëve të papunë në një qytet që nuk kontrollohet nga policia, nga rendi, nga shteti, por nga bandat.
Punonjësit e bashkisë janë vënë në rresht, të kërcënuar për bukën e gojës. Ky është pushteti që do të kemi, i frikshëm deri në vdekje”, deklaroi Flutura Açka.