Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun Vlorë Damian Gjiknuri, shoqëruar nga kandidati për deputet Niko Kuri dhe nga Kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, zhvilloi takimet elektorale në Himarë dhe Qeparo.

Në Himarë, Gjiknuri u ndal në investimet e realizuara gjatë dy mandateve të qeverisjes duke bërë që potenciali ekonomik i qytetit të rritet nga viti në vit. Ai theksoi se çështja e regjistrimit fillestar të pronave, një problematikë e kthyer në gangrenë shumëvjeçare për Himarën, tanimë është në rrugën e duhur, falë bazës ligjore. Pas përfundimit të regjistrimit të pronave në Iliaz dhe Gjilekë, pritet të nisë procesi në Livadh, Himarë dhe Dhërmi, deri në pajisjen e të gjitha fshatrave të jugut me certifikatën e pronësisë.

Gjiknuri u ndal dhe në procesin e regjistrimit të shtëpive të vjetra duke theksuar se po angazhohet personalisht që ky proces të ecë sa më shpejt. Ai ironizoi pretendimet e kundërshtarëve politik duke pohuar se “Kandidati i PD, që nuk ka asnjë lidhje me Himarën, ka deklaruar se të gjitha projektet e implementuara në Qarkun e Vlorës do t’i kthejnë pas. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Partitë e tjera nuk kanë lidhje me këtë krahinë. Ata nuk kanë një kandidat që t’ju përfaqësojë juve e jo më të dinë hallet tuaja. Në Bashkinë Himarë partitë e tjera nuk duhet të marrin asnjë votë pasi nuk i lidh asgjë me Himarën. As Omonia nuk ofron më asgjë pasi në të kundërt do ta kishin një kandidaturë përfaqësuese, por ashtu siç të gjitha partitë e tjera kanë zero interes për Himarën, kanë dhe zero kandidaturë përfaqësuese për këtë zonë” theksoi Gjiknuri.

Duke ju referuar ofertës politike të opozitës si të papërshtatshme, Gjiknuri ftoi qytetarët e Himarës që ta konsiderojnë referendum votën e 25 Prillit në mbështetje të projekteve transformuese për qarkun.

“Partia Demokratike nuk ju solli asnjë përfaqësues, mos i jepni asnjë votë ndërsa LSI- së që vijnë t’ju kërkojnë vota për pushtet e për të sistemuar në punë njerëzit e tyre përgjigjuni vetëm me vota për PS-në. T’ia japim Ilir Metës referendumin që kërkon duke nxjerrë 9 mandate për Qarkun e Vlorës, si mbështetje masive e gjithçkaje të nisur. Është kjo arsyeja përse vota juaj duhet të shkojë vetëm për numrin 12, për Partinë Socialiste, për të bërë më të mirën për Himarën dhe për gjithë qarkun e Vlorës”, theksoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro theksoi se partitë e tjera e kanë vërtetuar se nuk kanë çfarë t’i ofrojnë Himarës. “Vetëm Partia Socialiste ka treguar në këto 8 vite se çfarë mund të bëjë duke vazhduar më tej projektet e nisura ndërsa pohoi se himariotët janë të vendosur dhe e dinë se vetëm vota për numrin 12, për Partinë Socialiste, është votë për zhvillimin e Himarës dhe të gjithë qarkut Vlorë”, u shpreh Goro.

Nga fshati Qeparo, Gjiknuri pohoi se “Në këto 8 vite qeverisje të Partisë Socialiste, ne jemi dëshmimtarë të ndryshimeve të mëdha si në fshatin Qeparo, në qarkun e Vlorës dhe në të gjithë bregdetin shqiptar. Të gjitha këto ndryshime kanë ndodhur si rezultat i punës dhe vëmendjes së qeverisë Rama”.

Duke u ndalur në investimet konkrete Gjiknuri pohoi se shëtitorja e cila nuk ka qenë 8 vite më parë dhe rruga e Lumit të Vlorës e cila po përfundon e që do të shërbejë si një rrugë strategjike, sepse fshati Qeparo do të jetë qendra ndarëse e fluksit të turizmit në të gjithë zonën e jugut, janë investime të cilat do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e potencialit ekonomik.

Gjiknuri pohoi se “Investimi i qeverisë në rrjetin e ujësjellësit do t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të furnizimit me ujë të pijshëm pasi uji 24 orë është domosdoshmëri për zonat turistike. Investimi i realizuar në rjetin elektrik ka zgjidhur përfundimisht problematikat e 8 viteve më parë. Edhe procesi i legalizimit ka ecur duke u vendosur në rrugën e zgjidhjes”, u shpreh Gjiknuri.

Kandidati për deputet Niko Kuri, duke falenderuar Partinë Socialiste për besimin në kandidaturën e tij pohoi se nuk u gjend rastësisht në Partinë Socialiste por për faktin se gjen veten tek programi i kësaj force politike si e vetmja alternativë që do të çojë përpara investimet e nisura. Kuri theksoi se “Partia Socialiste është zgjidhja më realiste për 4 vitet e ardhshme, është zgjidhja më e mirë për të gjithë vendin dhe për qarkun e Vlorës”, pohoi kandidati Niko Kuri. Ai u ndal dhe në çështjen e minoritetit grek duke theksuar se ky komunitet ka jetuar në paqe me komunitetet e tjera.