Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, njëkohësisht kandidate në listat e PS-së për qarkun Korçë vazhdon turin e saj të takimeve me banorë të Pogradecit.

E shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, Gjylameti iu drejtua qytetarëve të Lagjes 3, zona e Kalasë për të zgjedhur të votojnë PS-në edhe për një mandat të tretë punësh.

“Ata janë alternative e dëmtimit, alternativë e shkatërrimit, alternativa e cila infekton tërë ditën cep e cep me takime që janë të grumbulluar 1 mbi 1. Ndryshe nga ajo që bëjmë ne duke mbajtur distancë dhe në mënyrë të veçantë te foksusi i shëndetit të njerëzve. Alternativa jonë është Edi Rama dhe qeveria me punë konkrete kanë vendosur dorë në çdo vend të Shqipërisë. Njerëzit e duhur duhet të jenë në krye të punëve të duhura”, tha ajo.

Nga ana tjetër, Gjylameti vuri theksin te zhvillimi i ekonomisë lokale dhe tek rëndësia e procesit të vaksinimit për të patur një sezon turistik premtues që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonës.

“Nëse nuk vazhdon vaksinimi me shpejtësi, do të kemi probleme me turizmin. Jo vetëm pjesa shëndetësore, por dhe pjesa e ekonomisë lokale është shumë e rëndësishme. Edhe disa procese nuk mund të shkojnë dot pa njëra-tjetrën. Duhet të vazhdojmë me vaksinimin në mënyrë që të heqim kufizimet dhe bizneset të punojnë lirshëm. Le të sjellim sa më parë sigurinë e shëndetit, të lirojmë ekonominë, të shtojmë vendet e punës dhe të zhvillojmë turizmin, sektorin kyç të zhvillimit të ekonomisë lokale në Pogradec”, tha ajo.