Aeroporti i Rinasit u prek nga fenomeni global i reduktimit drastik të punës në fillim të muajit mars, kur numri i fluturimeve ra ndjeshëm për shkak të masave shtrënguese që nisën të aplikojnë vende të ndryshme, mes të cilave edhe Italia, ku ishte numri më i madh i fluturimeve direkte nga Tirana.
Rënia e numrit të fluturimeve reduktoi njëkohësisht edhe të ardhurat e “Albcontrol”, një shoqëri aksionare në pronësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Statusi i shoqërisë aksionare do të thotë se të gjitha nevojat për shpenzime financiare, që nga ato logjistike më të thjeshta, e deri te pagat për punonjësit kompania duhet t’i plotësojë nga të ardhurat e veta.
Duke njohur vështirësinë me të cilën po përballet ky sektor në të gjithë Europën, Eurocontrol, ku bën pjesë edhe Albcontrol, sipas Sindikatës mbulon 50 për qind të pagave për kontrollorët shqiptarë, duke ja lënë gjysmën tjetër në dorë Albcontrol për ta plotësuar.
Por, në prill, bordi mbikëqyrës i Albcontrol ka marrë një vendim për përgjysmimin e pagave të kontrollorëve, që sipas ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku merrnin deri në 4400 dollarë në muaj, ndërsa sipas avokatit të kontrollorëve rreth 200 mijë lek në muaj.
Sindikata e Pavarur e Trafikut Ajror thotë përmes deklaratave që ka shpërndarë në një numër të kufizuar mediash, se vendimi i reduktimit të ndjeshëm të pagave është marrë më 24 prill 2020 dhe u është komunikuar privatisht e veç e veç të gjithë kontrollorëve në fund të muajit prill dhe me efekt prapaveprues, duke filluar nga data 1 prill.
“Kontrollorët e Trafikut Ajror janë njoftuar me e-mail se paga për muajin kalendarik prill 2020, paga e kaluar në llogaritë personale bankare është paga e përllogaritur sipas vendimit të sipërcituar të Këshillit Mbikëqyrës, duke i dhënë këtij të fundit fuqi prapavepruese”, thotë Sindikata.
Sipas Sindikatës pjesa e pagës është pjesa më pak shqetësuese e vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Albcontrol.
“Pjesa më shqetësuese e vendimit të sipërcituar është riorganizimi i punës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror duke vendosur kalimin e tyre në regjimin “një muaj punë – një muaj pushim”, regjim i cili është totalisht në kundërshtim me rregulloret e sigurisë që janë në zbatim në këtë fushë”, pretendon Sindikata.
Sindikata e kontrollorëve thotë se qëllimi kryesor i Albcontrol nuk duhet të jenë balancat financiare, por ofrimi i një shërbimi të sigurtë dhe duke cituar një vendim të Gjykatës Europiane të Drejtësisë pretendon se është përgjegjësi e Qeverisë që ta garantojë këtë.
“Kontrolli i trafikut ajror është një veprim që përfshin ushtrimin e autoritetit publik dhe nuk ka natyrë ekonomike për shkak se ky aktivitet përbën një shërbim në interes të publikut”, thotë Sindikata.
Sindikata pretendon se ka reaguar në rrugë institucionale që prej prillit të vitit të kaluar e deri më tani duke i ngritur shqetësimet dhe kërkesat e kontrollorëve në rrugë zyrtare përmes letrave drejtuar drejtorit të Albcontrol, Mina Kusta, këshillit mbikëqyrës e deri tek ministrja e Infrastrukturës dhe Transportit, Belinda Balluku dhe Ministria e Financave.
Mes tyre është edhe një letër, që kjo sindikatë thotë se ja ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama më 19 qershor të vitit të kaluar.
Përveç përgjigjes së marrë nga drejtori Kusta, që sipas kontrollorëve u ka thënë se vendimi për uljen e pagave është marrë për shkak të pamundësisë financiare për t’i paguar, Sindikata thotë se nuk ka marrë përgjigje nga asnjë institucion tjetër.
Por, pse iu desh pothuajse një vit kohë Sindikatës dhe kontrollorëve që të përshkallëzonin protestën e tyre duke bojkotuar punën?
Ndoshta e nxitur nga ideja se në prag të zgjedhjeve qeveritë janë më vulnerabël dhe të gatshme për të plotësuar kërkesat, Sindikata i është drejtuar më 22 shkurt kryeministrit Edi Rama me një letër ku paralajmërohet përshkallëzimi i protestës deri në pezullim të punës.
“Në rast se vendimi i Këshillit Mbikëqyrës nuk do të shfuqizohet dhe pasojat e tij nuk do të revokohen, do të ndihemi të shtrënguar të procedojmë me mjete dhe forma që zëri ynë të dëgjohet”, thuhet në letrën që kjo Sindikatë i ka drejtuar Ramës.
Letra vijon duke renditur edhe arsyet që jep Sindikata se përse po rrezikohet siguria kombëtare nga vendimet e këshillit mbikëqyrës të Albcontrol.
“Na duhet t’ju informojmë se gjendja mendore dhe stresi në radhët e kontrollorëve të trafikut ajror ka arritur kulmin duke vënë në rrezik tepër të lartë garantimin e sigurisë për të gjithë linjat ajrore.
Përpos uljes së paimagjinueshme të pagës që vazhdon që prej 1 prill 2020, stresin dhe ankthin po e shton së tepërmi refuzimi i çdo letre dhe kërkese duke na futur në një rreth vicioz ku nuk shohim zgjidhje”, thuhet aty.
Po në këtë letër, kontrollorët pretendojnë se janë të vetmit në të gjithë Europën të cilëve u është ulur paga në masën 72 për qind, megjithëse përgjatë 2020-ës, sipas tyre, Shqipëria renditet vendi i dytë në Europë, pas Norvegjisë për nivelin e lartë të trafikut ajror.
Sindikata paralajmëron kryeministrin se ulja e pagave mund të nxisë një pjesë të kontrollorëve që të largohen dhe të shqyrtojnë oferta të tjera pune dhe se në rast largimi qoftë edhe të një pjese të tyre, Albcontrol nuk do të jetë në gjendje që të ushtrojë misionin e vet, mes të cilëve është edhe siguria e fluturimeve në të gjithë hapësirën ajrore shqiptare.
“Në një hipotezë të tillë hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë do të konsiderohej jo e sigurt dhe për pasojë i gjithë trafiku ajror mbi hapësirën ajrore do të ndalohej plotësisht me pasojë pezullimin e të gjitha fluturimeve me destinacion Aeroportin e Rinasit dhe shmangien e të gjitha fluturimeve ajrore nga korridoret ajrore të kalimit”, thotë Sindikata.
Pas kësaj letre kanë nisur negociatat mes Sindikatës dhe drejtuesve të kompanisë AlbControl, por pa rezultat. Sindikata akuzon se AlbControl është orientuar nga ana financiare duke shpërfillur anën e sigurisë në kundërshtim të plotë me misionin që ka.
Në fund të muajit mars, kur për Qeverinë dhe drejtuesit e AlbControl negociatat nuk ishin përmbyllur, Sindikata nisi sërish deklaratat publike për të ngritur shqetësimet e kontrollorëve, pa përmendur fjalën “grevë”, por duke e nënkuptuar atë.
“Ndihemi të shtrënguar të vëmë në dijeni opinionin publik mbi rrezikun e pamundësisë së garantimit të sigurisë së fluturimeve ajrore mbi dhe në Republikën e Shqipërisë, dhe rrezikun e mbylljes përfundimtare të saj për një periudhë kohore të papërcaktuar”, thuhet në deklaratë.
Në këto deklarata mohohej se pas kërkesave të tyre ishte politika.
Megjithatë, Qeveria thotë se ka pasur një vullnet nga ana e kontrollorëve që të mos arrihet një marrëveshje.
“Që kanë qenë të pagatshëm për të vijuar punën dhe jemi njohur më 3 prill. Iu është bërë një ofertë që është refuzuar në fillim. Oferta ka qenë me strata.
Një ofertë nëse do ishte minimumi trafikut, një ofertë nëse do të ishte mesatar me pritshmëritë dhe një ofertë nëse do të kishim një hapje, por për këtë duhet të presim sezonin veror, ndërkohë që vaksinimi ecën. Kjo ka qenë negociata”, deklaroi në një intervistë për A2, zv.ministri i Infrastrukturës, Etjen Xhafaj.
Xhafaj akuzoi një pjesë të kontrollorëve si të nxitur nga politika. Të njëjtin qëndrim mbajti të mërkurën edhe ministrja Belinda Balluku.
“Që ka një ndërhyrje politike e tregon data, mënyra si ndodhi, pra këtu nuk po i vëmë emrin një ngjyre. Po diskutojmë për sigurinë kombëtare. Dje kemi qenë të rrezikuar sepse nuk kemi pasur asnjë kullë vro
jtimi të hapur. Këtu kemi të bëjmë me një situatë të precedentë për impaktin që ka”, u shpreh Xhafaj.
Më 1 prill, fiks një vit nga koha ulja e pagës së tyre një përfaqësi e kontrollorëve priten nga presidenti Ilir Meta.
Në njoftimin zyrtar, Meta thotë se takimi ishte mbajtur me kërkesë të kontrollorëve dhe i bënte thirrje Qeverisë që të gjente një rrugëzgjidhje.
Nuk dihet pse Ilir Meta duhej t’i priste në takim, pasi në këtë konflikt ai s’ka asnjë rol dhe asnjë zgjidhje që mund t’ju jape.
Dhe menjëherë, më 7 prill, 6 ditë pas takimit me Metën, kontrollorët ndaluan punën duke firmosur në kolektiv një deklaratë “paaftësie për të punuar”, për të shmangur cilësimin si grevë të protestës së tyre, pasi duke qenë pjesë e sektorëve jetikë u ndalohet me ligj kjo formë proteste.
Edhe pse Ilir Meta e mohon përfshirjen e tij në pengmarrjen e Aeroportit të Rinasit, duket e çuditshme që kjo gjë ndodhi vetëm pak ditë të takimit të kontrollorëve të Rinasit me presidentin.
Dhe për më tepër, menjëherë pas revoltës, Ilir Meta nuk bënte thirrje për kthim në detyrë të tyre dhe më pas gjetjen e një zgjidhje, por kërkonte që fillimisht Qeveria të ulej të negocionte me ta, pastaj të nisnin fluturimet.