Diaspora shqiptare në SHBA, përfaqësohej në fillim të shekullit të 20-të nga organizata të ndryshme si “Besa – Besë”, “Flamuri i Krujës”, “Shoqëria Kombëtare” dhe “Dallandyshja”. Për të unifikuar forcën e këtyre shoqatave dhe forcën e komunitetit shqiptar në tërësi dhe promovimin e kauzës shqiptare, në dhjetor të 1911 u mblodhën në Boston të gjitha organizatat shqiptaro-amerikane. Ndër promovuesit më të zellshëm të kësaj nisme historike ishin Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi, transmeton lexo.com.al.

Përpjekjet për të unifikuar shqiptarët e Amerikës rezultuan në sukses, kur në 28 prill 1912 u formalizua formimi i Federatës Panshqiptare “Vatra”, me qëllim mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës. Fakt interesant gjatë procesit është edhe debati për emrin e organizatës pasi deri para zyrtarizimit të organizatës, ishin sugjeruar gjithashtu emra si “Plugu”, “Parmenda”, “Kastrioti”, “Skënderbeu”, “Përlindja” etj, por në fund mbizotëroi argumenti bindës i Fan Nolit, për ta quajtur organizatën, Federata Shqiptare e Amerikës “Vatra”./Lexo.com.al/e.c.