Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka shprehur keqardhje për faktin që, në një aktivitet kulturor të zhvilluar dje në Pustec, ku morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Kryetari i Bashkisë, nuk u luajt edhe Himni Kombëtar Shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.
Në reagimin e saj, MEPJ thekson se, ndonëse aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe e të zgjedhurve vendorë i dha aktivitetit një dimension të veçantë publik.
Sipas ministrisë, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar përbën një mungesë serioze dhe një shmangie nga rregullat e mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë respektimin e simboleve kombëtare dhe të komuniteteve që ato përfaqësojnë.
“Respekti për simbolet kombëtare nuk duhet të jetë çështje politike apo interpretimi”, thekson MEPJ, duke e cilësuar atë pjesë të etikës institucionale, protokollit dhe respektit të ndërsjellë.
Ministria nënvizon gjithashtu se në Pustec, sikurse në çdo hapësirë të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare është pjesë e respektit ndaj qytetarëve dhe vlerave të bashkëjetesës demokratike. Sipas MEPJ-së, ky respekt përbën gjithashtu një element të rëndësishëm të fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve të shëndosha mes njerëzve dhe shteteve.










