Deputeti socialist Fatmir Xhafaj, u shpreh në Dritare Tv se vota e qytetarëve për të majtën në këto zgjedhje është një votë për reformën në drejtësi. I renditur me numrin 23 në listën e qarkut të Tiranës, Xhafaj u shpreh se “Drejtësia është aleati më i rëndësishëm për qytetarët”.
“Drejtësia është aleati më i mirë i qytetarëve prandaj ata u treguan të zgjuar duke e mbështetëtur plotësisht dhe kanë të gjithë të drejtën të presin nga drejtësia rezultate konkrete. Vota për PS është për reformën në drejtësi pasi politika vërtet mund të mos ketë ndikim të drejtpërdrejtë te drejtësia por krijon klimën. Janë pushtete që mbështesin njëra-tjetrën me fonde, me mjete, me buxhete dhe të gjitha këto influencojnë në mënyrë indirekte. Nuk e deformojnë, por ndikojnë te klima dhe sidomos te një pushtet i brishtë që sapo është duke u ndërtuar. Por për më tepër që është në fazën e ndryshimit të mentaliteteve dhe e ka të nevojshme këtë klimë. Partia Socialiste është forca politike që e mbështeti këtë reformën në drejtësi, që e votoi dhe u bë pjesë e këtij projekti. Këtë e them jo vetëm gjatë kohës që kemi qenë në mazhorancë, por edhe kur ishim në opozitë. Kurse opozita e sotme që ishte mazhoranca e djeshme në vite jo vetëm nuk mori kurajën, por e dëshironte mosndryshimin e këtij realiteti në sistemin e drejtësisë. Ajo është përgjegjëse. Ata gjatë këtyre 8-viteve e bojkotuan, nuk treguan mbështetje dhe madje e sulmuan. Ndaj qytetarët do të duhet të zgjedhin mes nesh”, u shpreh Xhafaj në Dritare Tv.