Në partitë e opozitës kanë nisur ‘gjuetinë’ e gjetjes së parregullsive të procesit zgjedhor dhe të numërimit të votave të 25 prillit. Pas humbjes në zgjedhje në selitë e PD dhe LSI janë mobilizuar për të parë pamjet filmike të qendrave të votimit një për një. Këtë mobilizim në LSI ia kanë lënë në dorë Petrit Vasilit, nënkryetarit të partisë. “Mirëmëngjes! I gjithë grupi duhet të jetë në gadishmëri të plotë! Me të marrë njoftimin e mbërritjes se imazheve filmike do filloni urgjentisht nga puna!
Evidentimi i çdo parregulltesie është betejë për jetë a vdekje! Çmontimi dhe demaskimi i ketyre zgjedhjeve mafioze është detyra më e rëndësishme se gjithçka tjetër! Asnjë nga ju nuk do të mungojë në këtë proces përfshirë anëtarët e grupit që kanë qenë kandidatë për deputetë”, ka shkruar Vasili në mesazhin e dërguar që para dy ditësh, kur ende ishte në proces numërimi.
Dy partitë kryesore të opozitës, PD dhe LSI, njëzëri kanë folur për proces të parregullt zgjedhor. Edhe Lulzim Basha edhe Monika Kryemadhi pretendojnë se vota është tjetërsuar. Ata thonë se do të bëjnë një betejë në këtë drejtim. Se si do të jetë kjo betejë e opozitës për zgjedhjet, liderët nuk dhanë detaje, por si PD dhe LSI hapin e parë e patën një kërkesë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë në dorë pamjet filmike të procesit zgjedhor.
PD-ja kërkoi pamjet filmike të qendrave të votimit dhe të numërimit, pasi i gjithë procesi është monitoruar me kamera nga KQZ. Ashtu sikundër kërkoi edhe të dhënat e grumbulluara nga identifikimi biometrik që u bë në të gjithë Shqipërinë, por edhe të atyre që u identifikuan manualisht në zonat ku pajisja elektronike nuk funksionoi. Me pretendimin e parregullsive të konstatuara nga numëruesit e vëzhguesit e partive në terren, edhe LSI-ja, një ditë pas PD-së, ju drejtua me kërkese zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por ndryshe nga demokratët, Monika Kryemadhi kërkon vetëm pamjet filmike të qendrave të votimit në rang vendi, dhe një kopje të materialit elektronik të pajisjes së identifikimit biometrik, duke mos kërkuar kamerat e procesit të numërimit.