Një nga lajmet kryesore ditën e sotme në mediat greke është vdekja e një të moshuari 76-vjeç në një nga spitalet COVID, të cilit i hoqi tubin e oksigjenit një pacient shqiptar, pasi ishte shqetësuar nga zhurma.
Por si u zbulua se pas krimit qëndronte shqiptari? Mediat në Athinë kanë publikuar raportin e hetimeve që zbulon se pacienti shqiptar u identifikua nga gjurmët e gishtave.
Gjendja e pacientit grek ishte e stabilizuar sipas mjekëve, por papritur filloi të binte alarmi i pajisjes duke treguar se ishte jashtë funksionit. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, stafi nuk arriti që ta mbante në jetë 76-vjeçarin.
Mjekët konstatuan se priza e pajisjes së oksigjenit ishte hequr duke krijuar dyshimet mbi atë që kishte ndodhur, pasi sipas tyre, pacienti vetë nuk ishte në gjendje që të ngrihej. Mjekët kërkuan ndihmën e hetuesve të cilët zbuluan se në ventilator ishte gjurma e gishtave të pacientit tjetër në dhomë, që është shqiptar.
Pacienti shqiptar fillimisht mohoi çdo përfshirje, por policia sipas mediave kishte prova të pakundërshtueshme, që ishin shenjat e gishtave. Autori pranoi krimin, ndërsa u shpreh se prizën e hoqi pasi e shqetësonte zhurma e ventilatorit.
Po sipas mediave, shqiptari ka çrregullime të shëndetit mendor dhe neurologjik, të shkaktuara nga përdorimi i medikamenteve psikotrope, por edhe gjendjes së krijuar nga infektimi me COVID-19.