Vendi ka hyrë që në mesnatë në heshtje zgjedhore, e cila duhet të vazhdojë deri në përfundim të ditës së votimeve. Propaganda, agjitimi partiak, ryshfeti i votuesve, fushata dhe shkelje tjera të Kodit Zgjedhor janë rreptësishtë të ndaluara gjatë heshtjes zgjedhore. Megjithëse heshtja zgjedhore parashikohet në ligj, ky rregull nuk është respektuar ditën e sotme duke nisur nga Presidenti Ilir Meta.

Ditën e sotme një ditë para zgjedhjeve Meta ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, duke shkelur ligjin për heshtjen zgjedhore. Presidenti ju bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë se janë patriotë dhe e duan vendin e tyre në ditën e votimit dhe preku disa çështje politike.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe kandidati i PD-së në Dibër, Xhelal Mziu, i cili i është kundërpërgjigjur përmes një statusi në “Facebook”, kryeministrit Rama. Kjo deklaratë e Mziut vjen pasi ai u shpreh pak ditë më parë se “kushdo që do guxonte të prekte votën do ta pësonte si ai i Elbasanit”, duke iu referuar Pjerin Xhuvanit, që u vra në qytetin e Elbasanit.

Për shkak të shkeljes së ligjit për heshtjen zgjedhore, Autoriteti i Medaive Audiovizive (AMA) ju ka bërë thirrje mediave, që të respektojnë kodin elektoral. Ky mesazh u shpërnda nga AMA menjëherë pas konferencës së jashtëzakonshme të Presidentit Ilir Meta, që u transmetua gjerësisht në media.

“Nga dita e sotme (24.04.2021) dhe deri në përfundim të orarit të votimeve gjatë ditës së nesërme, bazuar në kërkesat e Kodit Zgjedhor të Republikës, është periudhë e heshtjes zgjedhore. Në nenin 77, pika 2 përcaktohet qartë se në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, ndaj dhe AMA rikujton të gjitha subjektet audio dhe audiovizive që ta respektojnë këtë kërkesë të Kodit Zgjedhor. Kjo ndihmon në atmosferën e zhvillimit të votimeve më 25 prill 2021, mbështet qytetarët që të ushtrojnë të qetë dhe në mënyrë demokratike verdiktin për votën e tyre”, thotë AMA.