India miratoi përdorimin emergjent të vaksinës ruse Sputink V kundër koronavirusit. Kompania farmaceutike Dr Reddy’s Laboratories tha të martën se ka marrë leje nga Kontrolluesi i Përgjithshëm i Barnave në Indi për të importuar vaksinën.
India, deri më tani, ka administruar mbi 100 milionë doza të dy vaksinave të prodhuara në këtë vend: Covaxin dhe Covishield. Covishield është version i vaksinës së kompanisë anglo-suedeze, AstraZeneca.
Fondi Rus i Investimeve Direkte, i cili është përgjegjës për marketingun e vaksinës jashtë Rusisë, e konfirmoi marrëveshjen me Indinë. “India është vendi më i populluar që regjistron vaksinën ruse”, tha Fondi rus.
India është duke u përballur me një numër rekord të infeksioneve të reja me koronavirus dhe të viktimave. Në 24 orët e fundit, ky vend regjistroi mbi 168,000 raste të reja dhe 904 viktima.
Që nga fillimi i pandemisë, pranverën e vitit të kaluar, autoritetet në Indi kanë konfirmuar mbi 13.5 milionë raste me koronavirus dhe mbi 170,000 viktima, ndonëse shifrat besohet të jenë shumë më të larta.
Rusia ka zhvilluar tri vaksina kundër koronavirusit: Sputnik V, EpiVacCorona dhe CoviVac.
Ajo ka miratuar Sputnik V-në në muajin gusht, duke u bërë vendi i parë në botë me vaksinë kundër koronavirusit. Kjo ka bërë që shkencëtarët në të gjithë botën të vënë në dyshim sigurinë dhe efikasitetin e saj, pasi ajo është regjistruar përpara se studimet e fazës së tretë të testimit të bëheshin të disponueshme.
Por, në fillim të shkurtit, rezultatet e testimeve të publikuara në revistën globale mjekësore Lancet, kanë treguar se Sputnik V – vaksinë që jepet në dy doza – është 91.6 për qind efektive kundër koronavirusit. Edhe dy vaksinat tjera ruse, EpiVacCorona dhe CoviVac, kanë marrë miratimin e rregullatorëve shëndetësorë përpara se të përfundonin testimet e fazës së fundit.