Kandidatja për deputete e PS për qarkun e Korçës, Olta Xhaçka, ka zhvilluar një takim me gra e vajza të Ersekës, të cilave i siguroi mbështetjen e saj të vazhdueshme gjatë mandatit të tretë qeverisës.

Xhaçka theksoi se në 8 vite qeverisje, Partia Socialiste ka rritur kuotat e përfaqësimit të gruas në vendimmarrje, duke siguruar kontributin e tyre më shumë se kurrë më parë në parlament, këshilla bashkiakë dhe poste drejtuese.

Sipas saj, kjo ishte edhe arsyeja përse Shqipëria u rankua në 5 vendet me progresin më të lartë drejt barazisë gjinore.

“Rritëm përfaqësimin e grave dhe vajzave edhe në tregun e punës: sot janë 95 mijë gra e vajza të punësuara më shumë se në vitin 2013. Financuam programin kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit dhe të kancerit të qafës së mitrës, nga të cilët kanë përfituar ekzaminimet falas 110,000 gra. Siguruam që ndihma ekonomike kalon direkt në duart e gruas”, u shpreh ajo.
Sipas Xhaçkës, në 4 vitet e mandatit të ardhshëm, PS do të vijë projektin e fuqizimit të grave e vajzave si në zonat urbane dhe në ato rurale.