Elisa Spiropali, kandidate e PS-së për qarkun e Tiranës, në zgjedhjet e 25 prillit, u shpreh se “kryeministri Edi Rama me ekipin e tij ka dhënë dëshminë sesi mund të qeveriset pushteti lokal me njerëzit për njerëzit dhe jo kundër njerëzve”.

Duke marrë fjalën në takimin që zhvilloi sot, kryeministri Edi Rama me banorë në Kamëz, Spiropali tha se “nuk ka më taksidarë në dyert e bashkive, dhunues njerëz që me politikën nuk kanë asnjë lidhje përveç se dhunën e imponimin”.

“Ai që ishte më pare në bashkinë Kamëz, sot është azilant në Dibër, thoshte ‘Kamza ime’ sikur i’a kishte lënë baba dhe kur shkonte në Tiranë, nuk kërkonte ujësjellësa, çerdhe, ura, por thoshte “mi lini mua këta se këta për ne do të votojnë”. Po Kamza nuk është pronë dhe njerëzit nuk janë plaçkë. Ky është mesazhi ynë që do ta japim fort më 25 prill me PS dhe me Edi Ramën kryeministër”- tha

Spiropali theksoi se “ne i bashkojmë njerëzit, ata kanë futur ndasinë dhe përçarjen veri-jug. Ndërsa për ne shqiptarët janë një. Për ne fëmijët e Shqipërisë vlejnë njësoj. Prandaj në këtë 1 vit e gjysëm Edi Rama e ka mbështetur Kamzën më shumë se ata që në 30 vite i kanë marrë votën”.

E ka mbështetur, vijoi ajo në kanalizime, ujësjellësa e plot vepra publike dhe projekte madhore.

“23 shkolla dhe kopshte të reja deri në 2023 për fëmijët e Kamzës, sepse ata vlejnë përtej çdo ndasie. Ne do t’i bashkojmë të gjithë njerëzit, se si këtu në Kamëz ashtu edhe në të gjithë qarkun e Tiranës të votojnë punën, jo për dhunën. Të votojnë për fëmijën dhe jo për partinë. Prandaj është e rëndësishme që e kemi Edi Ramën sot kryeministër dhe kryeministër nesër, për fëmijët dhe Shqipërinë që duam”- deklaroi Spiropali.