Kthehen tifozët në stadium edhe në Itali. Finalja e Kupës së Italisë mes Atalantës së Berat Gjimshitit dhe Juventusit, e programuar për më 19 maj në “Mapei Stadium” të Rexhio Emilias, do të jetë e hapur për publikun në masën 20% të kapacitetit të stadiumit.

Lajmin e ka zyrtarizuar nënsekretari i Shëndetit, Andrea Kosta: “Po studiohet protokolli që do t’u lejonte spektatorëve ta ndiqnin finale e Kupës së Italisë në siguri të plotë, në respekt të plotë të normativës anti-Covid”, – tha ai.

Ky vendim vjen dy javë nga “ok”-i i autoriteteve për praninë e spektatorëve në shkallët e stadiumit “Olimpico” për Euro 2020, një kusht i vendosur nga UEFA për ta konfirmuar Romën mes qyteteve pritëse të kompeticionit.

“Pasi iu hap rruga tifozëve për në Europian në masën 25%, kemi hedhur menjëherë idenë e mundësisë për hyrjen e publikut në përqindje më të vogël edhe në eventet e tjera sportive, siç është finalja e Kupës së Italisë dhe finalja e tenisit më 16 qershor në Romë. Do të jenë teste të rëndësishme para Europianit të futbollit, një sinjal thelbësor për botën e sportit, që po i paraprin kthimit gradual të jetës normale”, – ka shpjeguar Kosta.