Jo pak njerëz po heqin dorë nga shansi i tyre për t’u vaksinuar, edhe pse kjo mund të thotë të heqin dorë nga “mundësia për mbijetesë”. Tendenca është që këta njerëz shpesh të mos e shfaqin haptazi arsyen pse s’duan të vaksinohen dhe gjasat janë që ta kenë zhvilluar problemin që në fëmijëri/adoleshencë.

Arsyeja? Frika dhe fobitë specifike. Me “fobi specifike” – NIH (Instituti Kombëtar i Shëndetit në SHBA) përcakton “një frikë intensive, irracionale ndaj diçkaje që paraqet pak ose aspak rrezik real”.

Edhe pse të rriturit mund të jenë të vetëdijshëm që frikërat e tyre janë irracionale, ata përsëri do të bëjnë çmos që ta shmangin atë. Frika nga vaksinat ka shumë të ngjarë të përbëhet nga një fobi që lidhet me gjilpërat dhe gjakun.

Kur e dimë se është fobi? Natyrisht, ne si njerëz priremi të shmangim çfarë na duket e frikshme, e pakëndshme apo e dhimbshme. Sidoqoftë, atributi përcaktues i një fobie është shqetësimi, ndërhyrja dhe dëmtimi në jetën e përditshme. Për shembull, nëse keni një sëmundje themelore siç është diabeti dhe e refuzoni vaksinën nga frika se mos shihni gjak ose dhimbjen e injeksionit, kjo mund të jetë shenjë e një fobie.

Skenarë të tjerë që shmangen për shkak të fobisë nga gjilpëra ose gjaku përfshijnë:

– Vizitë në spitale

– Takimet e mjekut dhe dentistit

– Media që përfshin dhunë ose procedura mjekësore

– Karriera mjekësore si infermieria ose stomatologjia

– Marrje/dhurim gjaku

– Testet mjekësore

– Kirurgjitë

Në rrethana ekstreme, disa madje mund të shmangin martesën, fillimin e një pune të re dhe preferojnë t’i nënshtrohen procedurave mjekësore pa anestezi për të parandaluar marrjen e injeksioneve.

Çuditërisht, një meta-analizë e vitit 2019 zbuloi se shmangia e vaksinimit të gripit për shkak të frikës nga gjilpëra ndodhte në 16% të pacientëve të rritur, 27% të punonjësve të spitalit, 18% të punëtorëve në institucionet e kujdesit afatgjatë dhe 8% të punonjësve të kujdesit shëndetësor në spitale.

Si trajtohet? Mënyra më rëndësishme dhe më e rekomanduar është që fobitë specifike të trajtohen me ndihmën e një profesionisti të shëndetit mendor i specializuar në terapinë njohëse të sjelljes, posaçërisht terapinë e ekspozimit. Fobitë vazhdojnë për disa vjet apo edhe dekada në 10-30% të rasteve. Ato gjithashtu ka shumë të ngjarë të bashkë-ndodhin me çrregullime të tjera të ankthit, humorit dhe përdorimit të substancave.