Midis sekreteve të Interit, që fluturon në kampionat, është sigurisht edhe një anësor i djathtë, që “lëron” krahun, shënon, jep asiste dhe gradualisht fillon të dijë të mbrojë. Padyshim që po flasim për Achraf Hakimi, një nga nënshkrimet e verës së kaluar, që ndryshoi më shumë fytyrën e zikaltërve. Për mikrofonat e “Repubblica”, marokeni flet për kryesimin e Serie A nga Inter, duke filluar me Antonio Conte:
Trajneri është me ne, pavarësisht se çfarë ndodh. Ai është si vëllai më i madh, për nga mosha dhe përvoja. Na lë të lirë, na lejon të argëtohemi dhe në fushë shihni harmoninë e grupit. Ai është pjesë e grupit, që ai vetë ka ndërtuar. Të gjithë ndjekim një rrugë, jemi të bashkuar edhe jashtë fushës. Rritja ka qenë graduale. Shumë prej nesh ishin të rinj, duke përfshirë edhe veten time.
Hakimi është i bindur se nuk ka pasur një pikë kthese specifike në sezonin e Interit, por një proces të ngadaltë dhe gradual të përmirësimit: Rritja ishte graduale. Shumë prej nesh ishin të rinj, duke përfshirë edhe veten time. Ne u njohëm me njëri-tjetrin. Pastaj, natyrisht, ndodhën gjëra që na dhanë një shtysë. Eliminimi nga Champions-i na lejoi të përqendroheshim në kampionat. Humbjet na ndihmuan të kuptojmë se çfarë dëshironim. Fjala ‘Scudetto’? Ne flasim për këtë, por me respekt, duke e ditur që nuk e kemi fituar akoma. Ky është qëllimi, nuk do ta fsheh, por ka ende shumë lojëra. Kundër Napolit do të jetë shumë e rëndësishme.
Pastaj, disa reflektime mbi eksperiencën tek Interi: A nuk jemi të bukur për t’u parë? Një ndeshje nuk është si një film. Në futboll, ai që vlen është shënimi i golave dhe mospësimi i tyre, fitorja dhe përfundimi i pari në kompeticion. Ne u larguam nga Champions-i, sepse disa detaje mungonin, duhej ta njihnim njëri-tjetrin më mirë. Eliminimi mbetet, por ne jemi të fortë. Për këtë skuadër do të flitet edhe në Europë. E ardhmja? Ajo që mund ta ndërtojmë së bashku. Shpresoj të qëndroj në këtë klub për një kohë të gjatë, jam i lumtur.
Në fund, kujtime të periudhës te Real Madridi, midis dëshirës për të luajtur me Cristiano Ronaldon: Te Real Madridi u rrita në mbrojtjen me 4, por me 3 lojtarë qendrorë kam më shumë liri në aspektin sulmues. Përqendrimi në taktikë dhe mbrojtje është thelbësore për futbollin e Conte. Modeli im është Marcelo. Më pëlqen gjithçka në lidhje me të: personaliteti, imazhi, loja. Cristiano Ronaldo? Pyes veten se çfarë nuk mund të kishim bërë! Me Ronaldon mund të bësh gjithçka. Do të kishte qenë e mrekullueshme të isha në gjendje të luaja në krah të tij dhe t’i jepja ndonjë asist.