Kandidati i LSI, Etjon Joka është shpallur në kërkim për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.
Joka është filmuar në një video duke premtuar para për blerjen e votave në Tiranë. Ai shfaqet me zë në një video të publikuar, teksa i jep 100 dollarë një qytetari që është angazhuar të mbledhë vota për LSI-në.
Po ashtu në të njëjtën video, një person i quajtur Edison Babo vijon pazaret ku premton punësim për qytetarin pas zgjedhjeve. Ky i fundit është arrestuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.
Njoftimi i plotë: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të shtetasit E. B., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin E. J., 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës.
Në kuadër të procedimit penal, datë 23.04.2021 të SPAK dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e shtetasit E. J.
Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit E. B., për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, dhe në ngarkim të shtetasit E. J., për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.