Vedat Ademi prej vitesh tashmë jeton në SHBA, me bashkëshorten e tij dhe fëmijët. Publiku e ka ndjerë mungesën e tij gjatë kësaj kohe, ndonëse Vedati nuk ka qëndruar asnjëherë larg muzikës. Ai ka qenë mjaft aktiv dhe së fundmi ka publikuar një këngë të re me titull “Kënga jonë”.

Për të folur për këtë projekt kaq të ëmbël, por edhe për jetën e re në Amerikë, Vedati ishte së fundmi i ftuar në emisionin “Rudina”. Duke treguar për jetën përtej oqeanit, këngëtari tha se tashmë janë përshtatur shumë mirë, por mendojnë që të rikthehen sërish si familje në Shqipëri. Ai tha se pasi të pajisen të gjithë me pasaporta amerikane, ekziston mundësia që të kthehen për të jetuar në vendin e tyre e për të qenë pranë gjithë të afërmve.

“Vendimi ishte familjar normalisht, unë kam që në 2010 që shkoj e vij në Amerikë, për shumë vite u bë si sakrificë që ne vinim me valixhe e ktheheshim për të ruajtur Green Card, edhe me fëmijët bëhet më e vështirë pastaj, udhëtimi i gjatë. Menduam të vinim të provonim edhe mundësitë tona këtej, sigurisht edhe për t’u pajisur me pasaportë. Pishman nuk jam bërë sepse njeriu sfidon gjithmonë veten me gjëra të reja edhe besoj se gjithçka në jetë na shërben si eksperiencë. Kemi qenë mirë, kemi gjetur shoqëri të mirë, bashkëshortja ka pasur mundësinë të ushtrojë profesionin e vetë me punë dhe pozita shumë të mira nëpër kompani dhe korporata më të mëdha në Amerikë. Por jemi prapë me idenë për t’u kthyer, duke qenë se investimi ndër vite është bërë për muzikën. Neve na mungon familja, shoqëria, kështu që nuk është jashtë mundësisë të kthehemi pasi të pajisemi me pasaporta”, tha Ademi.

Vedati shtoi se edhe pse fëmijët e tij kanë filluar jetën në SHBA, ata mund të përshtaten në Shqipëri, madje djali i madh shpreh shpesh herë dëshirën për t’u kthyer.