Drejtoresha e Kadastrës Lorena Goxhobelli në seancë dëgjimore në “Nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik”, për respektimin e rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se, brenda 2028-ës mbyllen legalizimet. Ndërkohë sipas raportit vjetor të këtij thuhet se rreth 130 mijë vetëdeklarim, ende janë në proces.
“Viti 2025 me 26101 legalizime, ka qenë viti më i miri sa i takon legalizimeve që kur është krijuar ASHK, në 2019. Për 6-mujorin e parë të 2026-ës kemi miratuar 17.396 vendime legalizimi, është një numër më i lartë në 2023-2024, dhe do të jetë vit edhe më i mirë se viti 2025. Patjetër, që kemi një numër shumë të madh dosjesh për këtë proces. Afati ligjor në ligj për të mbyllur legalizimet është 2028-ta”, tha Goxhobelli.
Vështirësia më e madhe në regjistrimin e titujve të pronësisë për shkak se për tokat bujqësore AMTP-të nuk shoqërohen edhe me hartën kadastrale.
“Ka vështirësi me regjistrimin e titujve të pronësisë sidomos me tokën bujqësore, pasi 90% e titujve të pronësisë për tokën bujqësore AMTP, janë tituj pa një hartë dhe paraqet vështirësi në regjistrim. Në momentin që ne bëjmë vendosjen, mund të ketë problematike me mbivendosjen, mund të ketë më shumë sipërfaqe në titull sesa në terren”, shprehet drejtuesja e Kadastrës.
Sa i takon regjistrimit fillestar të pronës, edhe ky proces duhet të mbyllet brenda 2028-ës.
“Sot 95.3% e territorit është e mbuluar me regjistrim fillestar, kemi vënë si afat maksimal të përmbushjes së këtij detyrimi 100% vitin 2028, megjithatë regjistrimi fillestar për Shqipërinë do mbyllet në 2027-ën”, tha Goxhobelli.
Sfida më e madhe thotë drejtoresha e ASHK është digjitalizimi i hartave kadastrale pasi rezulton se 80% e vendit ka probleme me mbivendosjen.
“Në dhjetor të 2025-ës përfunduam të gjithë digjitalizimin e dokumentacionit tekniko-ligjor, 54 milionë fletë. Kemi mbaruar digjitalizimin e 4.3 milionë kartelave, dhe po punojmë me UNOPS për digjitalizimin e hartave deri në dhjetor të 2026-ës. Në çdo ‘Progres Raport’ e ke të cilësuar që 80% e territorit të Shqipërisë ka problematika me hartat. Është një nga sfidat më të rëndësishme që kemi, por do të adresohet brenda afateve, pas digjitalizimit të hartave. Një grup pune po punon për të parë se në cilat hallka të punës tonë të futet inteligjenca artificiale, ku projekt do zgjasë deri në 2027-ën, dhe presim një raport për këtë drejtim” , tha Goxhobelli.
Sa i takon rekomandimeve të KLSH dhe kritikave të kryetarit Arben Shehu, drejtuesja e ASHK tha se i është dhënë akses i plotë në sistem dhe në informacionin e kërkuar, dhe se pjesa dërrmuese e rekomandimeve janë miratuar.
“Nga 123 rekomandime të verifikuara, 90 prej tyre janë të zbatuara plotësisht ose në proces dhe të argumentuara. 33 rekomandime nuk janë zbatuar pasi nuk kanë rezultuar kushtet për marrjen e masave. 38 rekomandime për ndëshkime, janë për punonjës që nuk janë më pjesë e ASHK, pra nuk mund të realizohet rekomandimi. Për 22 punonjës janë kryer verifikime dhe më pas është konstatuar se nuk ekzistonin kushtet për të vendosur ndëshkime, dhe për 2 raste është zbatuar masa disiplinore deri largim nga puna. Përgjatë 2019-2026 janë zhvilluar 34 auditime, 2 auditime janë në proces, janë kryer në periudha të ndryshme. ka drejtori që nuk janë kontrolluar asnjëherë që është drejtoria Gjirokastër, ashtu siç ka edhe drejtori si Rurale 2 Tiranë e kontrolluar 5 herë. KLSH ka pasur akses në informacionet që ka kërkuar” , tha Goxhobelli.










