Juventusi doli i mundur nga Bergamo. Ishte disfata e pestë në këtë kampionat. Ajo goditje e Malinovskit, e devijuar nga Alex Sandro, i dha Atalantës suksesin dhe, mbi të gjitha, parakalimin në renditjen e Serie A. Në “Gewiss Stadium”, bardhezinjtë ishin pa Ronaldon, i ndaluar nga një problem muskular. Portugezi pritet të bëhet gati për ndeshjen e ardhshme të mesjavës kundër Parmës. Nëse nuk ia del, për Pirlon do të jetë një problem i madh për t’u marrë me të.

Shifrat, në fakt, thonë se pa Ronaldon, Juventusi vuajti në fazën sulmuese dje. Për shembull, ishin vetëm dy goditje të bëra drejt portës së Gollini, shumë pak për të marrë rezultatin pozitiv. Përveç kësaj, në shtatë ndeshjet pa portugezin në këtë sezon (përfshirë dëmtimet, rotacionin dhe pozitivitetin me Covid-19), vetëm dy fitore kundër Dinamo Kiev dhe SPAL, të shoqëruara me po aq humbje dhe tri barazime.

Pikë të çmuara të shkuara dëm, që mund të kishin sjellë një renditje më të mirë për të besuarit e Pirlos, të cilët pas ndeshjes në Bergamo nënvizuan rëndësinë e dikujt si Ronaldo brenda “tabelës së shahut” të kampionëve në fuqi të Italisë.

“Ai nuk i shënoi 25 golat rastësisht, është finalizuesi ynë dhe qysh në ndeshjen e parë shkëlqeu. Duke qenë një kampion, ai përshtatet lehtësisht me këtë lloj kompeticioni. Në përgjithësi, ne kishim mundësi sot, nuk i shfrytëzuam ato dhe episodi i golit kushtëzoi rezultatin përfundimtar”, – tha trajneri i “Zonjës së Vjetër”.

Me pak fjalë, Ronaldo është një faktor përcaktues për këdo, madje edhe më shumë për një ekip që këtë vit ka çaluar në më shumë se një rrethanë. Morata dhe Dybala kanë konfirmuar vështirësitë e një mirëkuptimi, që nuk ka lulëzuar ende.

Pirlo ka detyrimin të gjejë një ose më shumë kundërmasa, sa më shpejt që të jetë e mundur. Fundi i kampionatit po afron dhe “fryma në qafë” nga Napoli dhe Lazio rritet në mënyrë eksponenciale, duke rrezikuar seriozisht vendin e katërt. Pra, pjesëmarrjen në Champions.