Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 12:00 llogaritet 27.18%. Sipas KQZ-së, për këtë rezultat kanë raportuar 47 qendra votimi nga 5199 gjithsej në të gjithë vendin. Ditën e sotme po zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3.588.869 qytetarë shqiptarë kanë të drejtën të votojnë sot, ndërsa 107 mijë e 24 zgjedhës votojnë për herë të parë.

Në zgjedhjet e sotme marrin pjesë 1841 kandidatë për deputetë. 5199 Qendrat e Votimit do të monitorohen me kamera, gjë që është një garanci e shtuar në parandalimin e paligjshmërive, si fotografimi i votës, votimi familjar, votimi më shumë se një herë, etj. Në këto zgjedhje qytetarët mund të votojnë si për partinë politike, ashtu edhe për kandidatët e partive.