Nga Artur Ajazi/ Pasi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha hodhi akuza të rënda ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj, kjo e fundit i konsideroi ato “si sulme personale”. Imeraj tha se “çështja mes saj dhe Bashës është personale për shkak të dosjeve që ka ai në Prokurorinë e Tiranës”. Dhe në fakt nuk ishte ndonjë habi e madhe, kur lideri opozitës, ai që pretendon të bëhet “kryeministër”, arrin ti bëjë presion një prokuroreje, që ka 17 vjet në detyrë, që ka hetuar Saimir Tahirin, apo dhe elementë kriminalë si Shullazi. Imeraj është shprehur se “deklarata e Bashës është sulm personal për shkak të dosjeve që ka në Prokurorinë e Tiranës,dhe për këto akuza,do të përballet me mua në gjykatë”. Politika ka futur gjithmonë duart në drejtësinë e vjetër, duke e përdorur atë për afro 3 dekada për interesat vetjake. Vettingu, ka sjellë natyrisht një reformë ndryshe në organet e drejtësisë sipas parimeve bazë perëndimore, duke patur në një afat të shkurtër kohor gjyqtarë dhe prokurorë me integritet, të aftë për të bërë drejtësi.

Por njeriu dhe politikani, që pretendon se “një ditë do të qeverisë vendin”, sërish i rikthehet avazit të vjetër, duke sulmuar drejtësinë dhe drejtuesit e rinj të saj.”Kryeprokurorja e Tiranës, ikonë e korrupsionit dhe e krimit”, deklaroi Basha, duke na kujtuar “babain e tij politik”, që dikur sulmonte Ina Ramën si “lavire bulevardi”, apo dhe emra të tjerë të respektuar të organeve hetimore. Madje Basha shkon edhe më tej, kur deklaron publikisht se “se kush është ajo, e dinë gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Tiranës dhe të Shqipërisë, por mua më intereson që Reforma në Drejtësi të ecë përpara”. Por nga përgjigja e zonjës Imeraj u mësua gjithashtu se, shkaku i sulmit ishte krejt personal, dhe se “Basha paska dosje në Prokurori”. Dhe në fakt ky është skandal. Kaq ndoshta do të mjaftonte, që kryetari i Partisë Demokratike të largohej nga fushata dhe kandidimi i tij për deputet, dhe të vihej në dispozicion të organeve hetimore. Deklarata e zonjës Imeraj nuk është lajthitje, as edhe e rastësishme, pasi ka të bëjë me fakte të cilat hedhin poshtë sulmet politike të zotit Basha.

Nuk mundet që një kryetar opozite, që përbaltë strukturat e drejtësisë, të jetë i besueshëm për tu votuar nga shumica e shqiptarëve. Ai nuk mund të jetë “kryeministri i vendit”, përsa kohë kreu i Prokurorisë së Tiranës, i kujton atij dosjet e hapura hetimore. Ky është një skandal që vetëm një politikan tranzitor si Lulzim Basha, mund ta injorojë për momentin.Karta e tij se “do të luftoj krimin, korrupsionin dhe trafiqet e qeverisë”, ka rënë, është “djegur’ si mandatet e deputetëve të tij kokëulur. Lulzimi duhet të mos mbrohet, apo dhe akuzojë dhe sulmojë zonjën Imeraj, por të sqarojë demokratët dhe shumicën e shqiptarëve për dosjet e hapura dhe të pambyllura, që paska në Prokurorinë e Tiranës. Një “kryeministër me dosje në Prokurori”, nuk është zgjidhja e duhur, dhe për pasojë as alternativa e votuar nga shqiptarët. Sulmet e opozitës ndaj emrave të veçantë, dhe strukturave të drejtësisë së re, kanë prapavijë politike dhe personale. I yshtur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, kryetari kukull i opozitës, po i bën shërbimin e fundit një politike destruktive, e cila deri para 2 vitesh, e kishte kapur në “grykë” drejtësinë dhe e përdorte si leckë për interesa personale. Shko mbyll dosjet në Prokurorinë e Tiranës Lulzim, pastaj shih ëndërra me “kryeministër”….