Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi, Kreu i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja kanë zhvilluar një bashkëbisedim me basketbollistë të ekipit Elbasanit rreth investimeve në fushën e sportit.
Kushi shprehet se “me basketbollistët e ekipit të Elbasanit diskutuam për investimet në sport dy mandatet e fundit dhe nënvizuam ambicien tonë për të thelluar akoma më shumë vëmendjen në mandatin e tretë të PS”.
Ndër të tjera, ajo nënvizon edhe disa prej arritjeve dhe investimeve në sport gjatë qeverisjes socialiste.
“Rritëm grantin për sportin dhe financimin për infrastrukturë sportive. Janë realizuar investimet madhore për “Tirana Olympic Park”, stadiumin e Elbasanit, Shkodrës dhe atë kombëtar “Air Albania”. Janë rikonstruktuar 62 terrene sportive dhe palestra sportive në sistemin arsimor parauniversitar. Rikthyem në sistemin arsimor parauniversitar klasat sportive, si edhe rritëm në tre orë edukimin fizik në shkolla etj.” – shprehet Kushi.