Luljeta Bozo hapi fjalimin në fushatën përmbyllëse të Partisë Socialiste. Nga sheshi “Skënderbej”, Bozo kërkoi votën për PS, duke e cilësuar si votë në drejtimin e duhur.
Bozo, e cila kryeson listën e Tiranës në këto zgjedhje e cilësoi fushatën e PS si qytetare, pasi sipas saj janë respektuar të gjitha rregullat e pandemisë.
“Jam shumë krenare si gjyshe që po përfaqësoj një brez i cili ka punuar me devotshmëri për vendin. Një brez i heshtur që ka energjinë dhe pjekurinë për të qenë këshilltar për të gjitha fushat e jetës sonë. Ju ftoj të gjithëve të votojmë më 25 prill sepse jemi të lirë të lëvizin në sajë të vaksinave që siguroi qeveria jonë që na dha këtë mundësi të gëzojmë nipër e mbesa të hyjmë e të dalim. Armikun e padukshëm po e mposhtim avash avash.
Mendoj jemi në fund të fushatës sonë dhe mendoj se kemi bërë fushatë shumë qytetarë duke respektuar rregullat, duke vënë në qendër të vëmendjes shëndetin. Fushata jonë ka qenë brenda gjithë rregullave duke pasur gjithmonë në vëmendjen tonë të respektojmë njëri-tjetrin. Si gjyshe dhe shkencëtare nuk duhet të reshtim asnjë minutë, të punojmë që të realizojmë me sukses rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga tërmeti. Të ndërtojmë, rrugë, porte dhe aeroporte që ta bëjnë më të bukur jetën tonë.
Edhe një fjalë të fundit si gjyshe dhe si shkencëtare mendoj vota jonë është shumë e rëndësishme, e shenjtë dhe individuale. Ajo duhet të shkojë në drejtimin e duhur për PS që është forca në progresiste në vendin tonë,” deklaroi Bozo.