Nga Dritan Hila/ Dy janë arsyet kryesore që mendon opozita se Rama duhet të lërë pushtetin. E para ka lidhje me konsumin e mandatit të dytë. Pra i takon radha asaj të vijë, sipas një tradite ende të pashkruar të tridhjetë vjetëve të fundit.

E dyta ka të bëjë me korrupsionin që mbizotëron në radhët e qeverisë dhe administratës. Dhe nuk është se tek kjo e dyta e kanë shumë gabim. Vetëm se kanë një problem të madh.

Lidhur me ciklin tetëvjeçar është vërtet risi që Rama të marrë një mandat të tretë. Por nuk ka asnjë tregues që popullariteti i tij ka rënie. Nuk është ndonjë çudi pasi kundërshtari përballë është pa ofertë. Ndodh në SHBA, Gjermani, Hungari që pavarësisht problematikave qeveritare, mbajtësit e pushtetit janë më të pëlqyer se sfidantët edhe pas dy mandatesh. Asnjë sondazh sado dashakeq nuk e nxjerr Ramën të dytin.

Pavarësisht diversionit që përpiqet të bëjë kundërshtari se tjetër gjë është rilindja dhe tjetër socialistët, e vërteta është që socialistët kanë fytyrën e Ramës. Tashmë Rama është udhëheqësi më jetëgjatë i së majtës pas Enver Hoxhës, kështu që e ka plazmuar këtë parti me fytyrën e tij. Dhe do ta ketë për shumë kohë të tjera. Dhe as socialistët nuk është se kanë ndonjë problem me të. Mirë apo keq, ai po i mban në pushtet.

Por as shqiptarët nuk duket se kanë ndonjë problem të madh. Akuzat e opozitës mbi korrupsionin qeveritar të nxjerra nga raportet e KLSH-së të Bujar Leskajt nuk është se zënë shumë vend.

E dyta ka të bëjë me ofertën e opozitës. Oferta e saj mbetet e vjetruar. Janë të njëjtat figura që u dënuan tetë vjet më parë për keqmenaxhim dhe korrupsion. Aty ligjin vazhdon dhe e bën Berisha. Le t’i kursejnë përbetimet se nuk është e vërtetë. Aty askujt, ende, nuk ia mban të qortojë këtë njeri edhe për gabimet që ai vetë i ka pranuar. Madje as Patozi, Topalli e Murrizi nuk guxojnë ta kritikojnë, megjithëse kanë dalë më vete. Përkundrazi, pretendojnë trashëgiminë e tij.

Basha vetë as që bëhet fjalë. Por siç mori përsipër meritën për vizat, të paktën të kërkonte falje për 21 janarin, për detin dhe Rrugën e Kombit me 22 milionë euro për kilometër, rekord ky ende i pathyer.

Shqiptarët kanë problem me ofertën përballë, e cila nuk ngjan aspak se do të lindë shpresë kundër korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë. Të paktë figurat makute të tetë vjetëve më parë dhe shfaqjet e presidentit nuk premtojnë aspak një ardhshmëri më të begatë për shqiptarët. Ndaj Rama ndihet i qetë.