Duke siguruar mjekët për mbështetjen deri në fund me bonusin special, Manastirliu tha se do të vijohet me ritme të shpejta vaksinimi, për të arritur edhe më shpejt objektivin për vaksinimin e të gjithë popullatës
19 Prill, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka takuar ditën e sotme mjekët dhe infermierët e Shërbimit Infektiv në QSUT, për t’i siguruar për mbështetjen deri në fund, në përballjen me virusin e rrezikshëm. Duke folur për situatën epidemilogjike në vend, ministrja Manastirliu e cilësoi atë si të kontrolluar, por kërkoi të mos ulet vigjilenca në këto momente. “Aktualisht spitali Covid 4 është zbrazur, për arsye se ka rënë numri i pacientëve që trajtohen për këtë sëmundje. Por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që spitali nuk është në gatishmëri, pasi, në momentin që mund të kemi një shtim të numrit të rasteve, gjithmonë kjo strukturë do të jetë aktive, ashtu sikurse ka qenë që në momentet e para. Nga ana tjetër numri i pacientëve që trajtohen në spitalin infektiv apo Covid 1 por edhe në spitalin Covid 3 ka pësuar një rënie të qëndrueshme. Ashtu sikurse ka pasur një rënie të qëndrueshme edhe përsa i përket numrit të fataliteteve mbi baza ditore. Kjo tregon që jemi në një situatë të kontrolluar të epidemisë. Por është shumë e rëndësishme të mos ulet vigjilenca”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se pavarësisht lehtësimit të situatës, mbështetja e personelit me bonusin special do të vijojë. “Për të gjithë ekipin e mjekëve dhe infermierëve do të vijojë mbështetja, ashtu sikurse ka qenë deri tani me bonusin special, do të vijojë deri në ditën e fundit të kësaj lufte me armikun e padukshëm. Janë më shumë se 4 mijë punonjës të shëndetësisë, mjekë, infermierë, epidemiologë, laborantë, të cilët kanë përfituar bonusin special të vendosur nga qeveria shqiptare”, nënvizoi Manastirliu. Duke folur për fushatën e vaksinimit ndaj COVID19, Manastirliu tha se grupet më të riskuara dhe popullata mbi 60 vjeç, do të vaksinohen brenda muajit maj. “Lufta ende nuk ka përfunduar. Do të kërkojë kohën e vet. Vaksinimi do ta ofrojë atë rezultat që ne presim, jam e bindur, nga fakti që ne jemi duke vaksinuar, vaksinuar, vaksinuar, dhe nuk do të ndalemi për asnjë moment, derisa qytetari i fundit shqiptar të jetë vaksinuar. Dhe ky është plani ynë ambicioz për pranverën e vitit që vjen. Mendojmë që mund t’ia arrijmë dhe më shpejt, por jemi të vendosur që brenda muajit maj të arrijmë objektivin e 500 mijë vaksinimeve për të gjithë ato grupe të riskuara dhe popullatën +60. Dhe më pas të vijojmë për të vaksinuar sa më shumë, për të mbrojtur jetë”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë ka shprehur vleresimin për punën e palodhur të mjekëve dhe infermierëve në gjithë këtë periudhë të pandemisë, duke e cilësuar punën dhe impenjimin e tyre të jashtëzakonshme në betejën me COVID19.