Emanuela Pepkola Zaimi, themeluese e Fondacionit Down Syndrome Albania, i kthehet kreut të PD Lulzim Basha për marrëveshjen e firmosur dje mes ti dhe personave me aftësi të kufizuara. Sipas saj, ajo marrëveshje përmbante vetëm gjuhë politike dhe asnjë kërkesë të këtij komunitetit.

“Para ftestës për takim me Z.Basha, disa deputetë të PD (asnjë nga PS se elbete ata me të tyren janë në rrellun, janë në rrugë të mabrë) më kishin shkruar për takim me to”, shkruan ndër të tjera Pepkola dhe thekson se kishte shprehur gatishmërinë e saj për tu takuar. “… takimet mbetën pezull kur më erdhi ftesa për takimin ‘e madh’. Mendova ‘një herë e mirë me kryetarin e PD”, vijon themeluesja e Down Syndrome Albania.

Por, edhe këtë herë takimi nuk ishte realizuar dhe nëpërmjet e-mail kishte marrë informacion se në takim do firmosej një marrëveshje. (Marrëveshja që u firmos dje mes Bashës dhe personave me aftësi të kufizuara.) “Në gjykimin tim, marrëveshja që më erdhi me e-mail i kishte të gabuara shumicën e konstatimeve për situatën e PAK, kishte shumë gjuhë politike, e për më tepër nuk përfshinte asnjë nga kërkesat tona për premtime”, shkruan Emanuela Pepkola.

Pavarësisht se s’kishte marrë asnjë përgjigje për takim dhe përmbajtjen e marrëveshjes në tërësi, sepse sipas personave përgjegjës që ia kishin dërguar “ajo (marrëveshja) nuk ishte bërë ende publike”, Pepkola bën me dije se ka vendosur të shkojë në takim, shkruan newsbomb.al.

“Përfundimisht propozova që të marr pjesë në takim për të thënë ç’kisha për të thënë por pa firmosur atë marrëveshje. Ky propozim i imi nuk u pranua, o me firmosje o hiç”, shkruan më tej themeluesja e Down Syndrome Albania, ndërsa thekson se në media kishte parë se takimi ishte zhvilluar dhe kështu ajo s’kishte mundur të shkonte.