Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun Gjirokasër dhe kandidati për deputet, Bledi Çuçi, ka zhvilluar takime me disa nga bizneset e vogla në lagjen “18 Shtatori”. Çuçi ka risjell në vëmendje të tyre lehtësinë e madhe që ka nisur prej janarit të këtij viti e do të vazhdojë deri në vitin 2029; taksë zero, tatim fitimi dhe TVSH zero.
“Kjo është një lehtësi unikale në rajon, që s’e ka bërë asnjë vend tjetër. Mbështetje maksimale për ju, besim dhe shpresë se pandeminë po e lemë pas dhe bashkë do të ringrihemi edhe më të fortë se më parë”, thotë Çuçi.
Në fotot e publikuara prej tij në Facebook, bie në sy edhe një moment tjetër, vizita në një dyqan ku administratori ishte mbështetës i Partisë Demokratike. Kjo kuptohet prej byzylikut që ai mbante në dorë. Në fund ka edhe një shtrëngim duarsh mes Çuçit dhe mbështetësit të Partisë Demokratike.