Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka deklaruar se Komiteti i Mbrojtjes Civile ka autorizuar ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku për të nisur zëvendësimin e kontrollorëve të “Albcontrol”-it. Peleshi theksoi se gjatë mbledhjes së komitetit mbrëmjen e djeshme, është vendosur që të merren masat e nevojshme për rifillimin e punës në Rinas.
“Ministri i Mbrojtjes është edhe drejtues i Komitetit të Mbrojtjes Civile dhe kam thirrur në orët e vona një takim të Komitetit të Mbrojtjes Civile”, – tha Peleshi për ‘Vizion plus”.
“Ky Komitet, i përbërë nga disa ministra, ka marrë një vendim me tre pika. Pika e parë ngarkon ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë për marrjen e masave të nevojshme për të bërë të mundur rikthimin e punës, qoftë edhe duke zëvendësuar e kontrollorët, qoftë me të huaj, qoftë me vendas; të përcaktojë kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më parë dhe të bëhet çfarë është e nevojshme për rifillimin gradual të punës”, tha Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes tha se vendi nuk mund të mbetet peng i lojërave politike, aq më shumë priten ngarkesa të tjera me doza të vaksinave anti-Covid.
“Nuk mund të rrimë në vend, nuk mund të ngelemi peng i lojës politike, do të kryej deri në fund detyrën time si ministër, nisur nga rezultati i këtij Komiteti”, – vijoi Peleshi.
“Ministrja Balluku ngarkohet për të bërë gjithçka për të rifilluar punën. Njerëzit kanë shumë pikëpyetje kur do të vijnë, kur do të ikin, priten vaksinat, e kemi vlerësuar si një kërcënim për Mbrojtjen Civile dhe kemi marrë këtë vendim”, vijoi ai
Disa prej kontrollorëve janë shoqëruar në polici, ndërsa ka nisur dhe një hetim nga Prokuroria për “Shpërdorim Detyre” ndaj tyre.