Aeroporti ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e Veriut” është thuajse gati të presë fluturimin e tij parë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, ka publikuar një video nga dora e fundit e punimeve në portën e re ajrore të vendit tonë e cila pritet të sjellë rritje të konkurrencës me Aeroportin Ndërkombëtarë “Nënë Tereza”, në Rinas, si dhe ulje të çmimeve të biletave të udhëtimeve nga dhe për në vendin tonë.
Ministrja Balluku ka publikuar pamjet katër ditë para se të nisë fluturimi i parë zyrtar në këtë aeroport të ri.
“Përgatitjet e fundit në aeroportin e Kukësit, ku pak ditë na ndajnë nga fillimi i operimeve. Mbajmë premtimin për t’i dhënë Kukësit një vepër gjigante dhe Shqipërisë aeroportin e dytë ndërkombëtar”, u shpreh Balluku.
Aeroporti i Kukësit ka marrë licencën kombëtare dhe është në proces të marrjes së licencës ndërkombëtare, duke qenë kështu gati për të nisur më 18 prill, fluturimin e parë.