Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka theksuar edhe një herë se SHBA e mbështet plotësisht reformën në drejtësi të Shqipërisë dhe aspiratat e anëtarësimit të saj në BE. Këto deklarata Ambasadorja Yuri Kim i bëri sot gjatë Aktivitetit të USAID “Drejtësi për të gjithë”, i cili shënoi përparimet në reformën në drejtësi.
“Më lejoni të jem e qartë: SHBA e mbështet plotësisht reformën në drejtësi të Shqipërisë dhe aspiratat e anëtarësimit të saj në BE. Ne jemi me ju krah për krah. Unë jam angazhuar personalisht si përfaqësuese e Presidentit të Shteteve të Bashkuara për të bërë gjithçka që mundem për të promovuar këtë reformë si një mjet për të arritur një të ardhme më të drejtë, më demokratike dhe më të sigurt për shqiptarët. Projekti “Drejtësi për të gjithë” ka qenë njëri prej angazhimeve të shumta të SHBA-ve për të mbështetur reformën në drejtësi të Shqipërisë. Mbështetja jonë do të vazhdojë”, shkruan Ambasada Amerikane.