Lionel Messi do të nënshkruajë marrëveshje të re me Barcelonën për të qëndruar në Camp Nou, sipas ish-skautit të klubit Andre Cury. Kontrata e argjentinasit me Barcelonën mbaron më 30 qershor dhe ai mund të largohet falas në verë nëse vendos kundër vazhdimit të marrëveshjes me klubin në muajt në vijim. Megjithëse gjatë fillimit të këtij sezoni u duk i sigurt largimi i Messit në fund të kampionatit, pasi 33-vjeçari kishte bërë përpjekje serioze për t’u larguar verën e kaluar, zgjedhja e presidentit të ri dhe përmirësimi i lojës së skuadrës në kohët e fundit mund t’ia kenë ndërruar mendjen atij.
Cury është optimist se Messi nuk do të lëvizë vendi. “Jam pothuajse i sigurt se Leo do të qëndrojë në Barcelonë. Ai do të jetë i lumtur përsëri dhe do ta ketë një ekip të ri që luan mirë dhe pas një apo dy viteve ai do të jetë përsëri numër një në botë”, tha Cury. Shtëpia e Leos është në Barcelonë dhe Argjentinë. Leo e dashuron Argjentinën dhe luan me gjithë forcën për ekipin kombëtar dhe për Barçën po ashtu”, shtoi ai.