Milani dhe Juventusi janë duke e përgatitur një marrëveshje shkëmbimi ku do të përfshiheshin Alessio Romagnoli dhe Federico Bernardeschi. Të dy futbollistët në fjalë kanë dështuar ta fitojnë dashurinë e tifozëve të skuadrave të tyre përkatëse këtë sezon dhe marrëveshjet e tyre mbarojnë në verën e vitit 2022.

Prandaj, sipas Goal.com, dy klubet janë duke e menduar një shkëmbim kokë më kokë, Romagnoli-Bernardeschi. Së fundmi, Romagnolit ia zuri vendin i riu Fikay Tomori në mbrojtjen e kuqezinjve, pavarësisht se italiani është kapiten i ekipit.

Ai vlerësohet shumë i ngadalshëm për të funksionuar në formacionin e Stefano Piolit, 4-2-3-1. Në anën tjetër, Bernardeschi është përdorur gati në çdo pozitë nga trajneri Andrea Pirlo, por askush nuk ka bindur. Nëse shkon në Milani, ai mund të ketë më shumë hapësirë për të luajtur në pozitën që i përshtatet.