Nga Aranit Muraçi/
Kancelarja gjermane Angela Merkel është vaksinuar dje, disa ditë më vonë, në një kohë kur shumë prej moshatarëve të saj në Shqipëri, e kanë marrë dozën e dytë, ose të paktën të parën para gruas më të pushtetshme në botë. Merkel ka preferuar njërën prej vaksinave që po përdoret aktualisht dhe gjerësisht në vendin tonë.
Ndryshe nga shumë udhëheqës të tjerë botërorë, kancelarja gjermane Angela Merkel nuk bëri shumë bujë, për faktin se ajo është vaksinuar me AstraZeneca, vaksina e prodhuar nga një kompani britaniko-suedeze.
Kancelarja 66-vjeçare priti radhën si të gjithë qytetarët e tjerë dhe e mori vaksinën në qendrën e instaluar posaçërisht, në ish- Aeroportin Tempelhof të Berlinit, që aktualisht punon ekskluzivisht me AstraZeneca, një vaksinë që është vënë në dispozicion vetëm për të moshuarit mbi 60 vjeç në Gjermani.
Vaksinimin e Merkel e konfirmoi zëdhënësi i saj Steffen Seibert, me një foto të thjeshtë që tregonte vetëm certifikatën e saj të vaksinimit.
“Jam e kënaqur që kam marrë sot dozën e parë të vaksinës AstraZeneca. Falënderoj të gjithë ata që janë të përfshirë në fushatën e vaksinimit – dhe të gjithë ata që vaksinohen. Vaksinimi është çelësi për të kapërcyer pandeminë”, tha Merkel në mesazhin e saj.
Dihet që Gjermania prodhoi një nga vaksinat e tjera, atë PfizerBiotech, ndërsa Merkel është vaksinuar me njërën nga vaksinat, me të cilën po vaksinohen qytetarët në vendin tonë, ndoshta kjo zgjedhje e saj u bë për çudinë e “shkencëtarëve shqiptarë” të zhurmës së madhe.
Ndërkaq janë këto të dhënat e fundit për dy vaksinat e tjera që po përdoren në Shqipëri.
Vaksina kineze
Një studim i botës reale për miliona kilianë që kishin marrë vaksinën kineze CoronaVac, ka zbuluar se kjo vaksinë është 67% efektive kundër simptomave dhe 80% efektive kundër vdekjes nga COVID-19, tha të premten Ministria e Shëndetësisë e vendit të Amerikës Jugore.
Këshilltari i ministrisë Rafael Araos tha se studimi përfshiu 10.5 milion njerëz, përfshirë 2.5 milion që kishin marrë të dyja dozat e vaksinës dhe 1.5 milion që kishin marrë një dozë të vetme midis periudhës nga 2 shkurti deri më 1 prill.
Studimi përfshiu rastet duke filluar 14 ditë pas aplikimit të dozës së dytë të vaksinës, e cila në Kili u dha 28 ditë pas së parës. Vaksina kineze është përdorur gjerësisht në të gjithë botën, megjithëse jo në Shtetet e Bashkuara ose Evropë. Me Europën nënkuptohet BE-ja, pasi kjo vaksinë po përdoret gjerësisht në Turqi, Shqipëri, dhe disa vende të tjera jashtë bllokut.
Autoritetet e Kilit thanë se vaksina kishte ulur shtrimet në spital me 85%, vizitat e kujdesit intensiv me 89% dhe vdekjet me 80%. Ky është një nga studimet më të mëdha të botuara deri më tani për ndonjë prej vaksinave të përdorura kundër koronavirusit. Shumica e studimeve të mëparshme bazoheshin në studime klinike të grupeve të kufizuara, deri në mijëra njerëz, për të testuar efikasitetin dhe sigurinë përpara përdorimit të përgjithshëm.
Kili po udhëheq rajonin me një fushatë vaksinimi që ka arritur 40% të 19 milion njerëzve të saj – dhe 27% e tyre deri më tani i kanë marrë të dyja dozat. Fushata filloi në një pjesë të madhe midis të moshuarve dhe punonjësve shëndetësorë, por është zgjeruar duke përfshirë punëtorët e fabrikave dhe së fundmi njerëzit deri në moshën 48 vjeç.
Kili ka kontraktuar për 60 milion doza të vaksinës CoronaVac të prodhuara nga Sinovac për tre vjet, dhe gjithashtu ka përdorur vaksina të prodhuara nga Pfizer. Rreth 90% e vaksinave të përdorura deri më tani në Kili kanë qenë CoronaVac.
Autoritetet raportuan të enjten se Kili pati një ulje të ndjeshme të shtrimit në spitale të njerëzve mbi 70 vjeç, diçka që i atribuohet fushatës së vaksinimit midis të moshuarve. Por gjithashtu ka pasur “një rritje jo problematike” të shtrimeve në spital për njerëzit nën moshën 59 vjeç. Kili ka raportuar 1.1 milion infeksione të virusit dhe rreth 25,000 vdekje që kur nisi pandemia.
Vaksina ruse
Sputnik V tashmë po përdoret gjerësisht edhe në Venezuelë, për të imunizuar grupin e parë të njerëzve në vendin tjetër të Amerikës Latine.
Presidenti Vladimir Putin e ka konsideruar Sputnik V si “vaksinën më të mirë në botë”, kurse mediat ruse kanë reklamuar eksportet rekord të vaksinës së tyre jashtë vendit.
Sidoqoftë, a është Sputnik V që po përdrohet edhe në Shqipëri, në të vërtetë, një vaksinë e sigurt dhe efektive kundër COVID-19?
Krijuar nga Instituti Shtetëror i Kërkimit të Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë në Moskë dhe i financuar nga Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF), vaksina ruse është një vaksinë e vektorit viral, e ngjashme me ato të zhvilluara nga AstraZeneca dhe Johnson & Johnson (J&J ) Vaksinat vektoriale janë më të lehta për t’u menaxhuar sesa vaksinat e mARN, të cilat duhet të ruhen në temperatura shumë të ulëta.
Një vaksinë vektoriale, që përmban viruse të padëmshëm, të tillë si viruse të ftohtë joaktivë, dërgon në trup kodin gjenetik të proteinave – të cilat patogjeni SARS-CoV-2 i përdor për t’u bashkuar me qelizat njerëzore. Trupi i një personi të vaksinuar i njeh ato si substanca të huaja dhe reagon duke krijuar antitrupa dhe qeliza specifike T, të cilat janë të dyja të rëndësishme për imunitetin.
Në parim, është e mundur të përdoren dy vektorë të ndryshëm, sepse kjo krijon një efikasitet më të lartë të vaksinës. Efikasiteti i vaksinave të tjera vektoriale si AstraZeneca (76%) dhe J&J (85,4%), të cilët përdorin vetëm një vektor, është shumë më i ulët se ai i vaksinave mARN nga BioNTech-Pfizer (95%) dhe Moderna (94,1%).
Sidoqoftë, është e vështirë të përcaktohet saktësisht efikasiteti i Sputnik V. U miratua për përdorim në Rusi gushtin e kaluar para se të kishte përfunduar rishikimi i sigurisë shtetërore. Tetë muaj pas miratimit nga qeveria ruse, nuk ka ende të dhëna të besueshme për vaksinën ruse, sipas studiuesve perëndimorë. Në shtator, revista mjekësore britanike The Lancet publikoi rezultate të pjesshme nga provat e fazës 1 dhe 2 të Sputnik V. Dy studimet për sigurinë, tolerancën dhe imunogjenitetin përfshinë secili vetëm 38 pjesëmarrës.
Rezultati dha një përgjigje të fortë imune dhe tha se nuk ishin zbuluar efekte serioze anësore. Ekspertët ndërkombëtarë kishin rezerva të forta në lidhje me rezultatet. Rreth 40 shkencëtarë nga Evropa, Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe madje Rusia nënshkruan një letër të hapur duke ngritur shqetësime se të dhënat mund të ishin manipuluar. Megjithatë ata ishin kryesisht perëndimorë dhe ndoshta shihet edhe qasja ndryshe nga beteja mes vetë shteteve të fuqishme se cila prej tyre ka vaksinën më efektive.
Më 2 shkurt, shkencëtarët rusë botuan rezultate të ndërmjetme nga provat e fazës 3, në The Lancet. Ata thanë se mbi 18,000 pjesëmarrës kishin marrë dy doza të vaksinës në një interval prej tre javësh dhe pohuan se efikasiteti ishte në 91.6%, pa efekte anësore serioze. Edhe një herë, kolegët e tyre ndërkombëtarë u përgjigjën me skepticizëm, duke theksuar se nuk mund të kishte një vlerësim të pavarur, nëse të dhënat kryesore nuk do të ishin botuar.
Sipas një studimi të ri të publikuar më 3 Prill, Sputnik V gjithashtu rezultoi efektiv kundër variantit B.1.1.7, zbuluar së pari në Mbretërinë e Bashkuar dhe variantit B.1.351, identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) nisi një vlerësim në fillim të Marsit, për efikasitetin dhe sigurinë e Sputnik V. Por nëse do të jepet miratimi për përdorimin e saj në të gjithë BE-në, ka nevojë ende për qasje të të dhënave më të plota të studimeve.
Dhe është ndoshta gjeopolitik shkaku pse Perëndimi nuk ka miratuar ende vaksinat që vijnë nga Lindja.
Ndërsa, më e rëndësishmja, asnjë studim nuk thotë deri tani se ndonjë prej vaksinave është më efikase se tjetra.