Nga Skënder Minxhozi/ Është e kuptueshme (por jo normale), që një kryeministër që ka qeverisur tetë vjet, t’i bëjë bisht pyetjeve e të mos i’u përgjigjet atyre, kur e pyesin në një emision televiziv. Goja e mbyllur ndihmon kur ke përpara vetes një bilanc lara-lara. Është shumë më pak e kuptueshme nga ana tjetër, kur këtë vendos ta bëjë një kryetar tetëvjeçar opozite, i cili duhet të ketë përgjigjen gati për çdo gjë, pasi ka pasur kohë me bollëk për t’u përgatitur dhe përgjegjësi thuajse zero për ecurinë e punëve në një shtet.
Ja që mund të ndodhë edhe e kundërta. Që një kryeministri (Edi Rama) të mos i hyjë gjuha në gojë duke i dhënë përgjigje e duke replikuar me çdo gazetar, reporter a fejsbuks që i del përpara, ndërsa tjetri, oponenti i tij (Lulzim Basha), të përgjigjet se do të rrisë rrogat e pensionet edhe kur e pyesin pse u vranë njerëzit në mes të rrugës ditën që ishte ministër i brendshëm.
Edi Rama dhe Lulzim Basha po ju bien kryq e tërthor mediave në këto ditë të nxehta fushate. I pari që shet kudo e pa hesap improvizimin dhe hazerxhevapin e njohur, markën e vet të preferuar, i dyti që është mësuar nga këshilltarët hebrenj (çifutët e Bashës, do të thoshte aleatja e tij kryesore), edhe si të qeshë, edhe si të mbajë duart, edhe si të flasë e mbi të gjitha…edhe si të mos i përgjigjet asgjëje që mund të nxisë debat, apo që lidhet me të shkuarën e tij e që për pasojë mund të çojë ujë në hulli të rrezikshme.
Kjo qasje ndaj publikut dhe pyetjeve të tij, e kanë bërë lehtësisht të dallueshme fushatën e Ramës dhe Bashës, si dy rrugëtime të ndara thuajse në gjithçka. Jo më kot prej tetë vjetësh i dyti ndjek të parin pa e kapur dot askund. Edi Rama justifikon thuajse gjithçka të pakryer në mandatin e tij të dytë, me pandeminë dhe tërmetin. Do të duhej shtuar këtu edhe kriza e mandateve, që mori thuajse të gjithë pjesën më produktive të vitit 2019.
Nëse kjo taktikë e tij ka sot pro dhe kundra sa të duash ndër ata që e dëgjojnë Ramën nga mëngjesi në darkë, kjo vjen pasi në thelb ajo është një justifikim i pjesshëm i mosmbajtjes së shumë prej premtimeve që e majta bëri në 2017, e që sot rezulton të mos i ketë realizuar. Tërmeti dhe pandemia do të dëmtonin rëndë çdo bilanc të një qeverie në një vend mizerabël si Shqipëria, por ato janë gjithashtu edhe një maskim i paplotë i dobësimit të qeverisë dhe vetë qeverisjes në katër vitet e fundit, kur shteti i ka kthyer sytë ekskluzivisht nga prijësi dhe kur bullonat e maxhorancës nisën të lirohen dukshëm.
Në tryezën përballë kemi një tjetër diagnozë dhe një tjetër pacient. Kemi një kryetar opozite i cili vijon prej tetë vjetësh luftën titanike në gotën e tij të ujit, për t’i dhënë formë, kuptim dhe domethënie mandatit që i kanë lënë në dorë të nesërmen e zgjedhjeve të tetë vjetëve më parë.
Pak por e sigurt, për sa kohë që Sali Berisha të ketë shëndet të plotë dhe mbi një milion ndjekës në Facebook, me shumë gjasë nuk do të arrijmë ta shohim Lulzim Bashën e vërtetë, por vetëm një klon anemik të atij që mund të kishte qenë kryetari i vërtetë i Partisë Demokratike pas vitit 2013.
Këtë figurë pa formë, ngjyrë dhe erë, Lulzim Basha po e projekton të plotë dhe të përforcuar edhe në këtë fushatë zgjedhore. Nuk di të bëjë diçka më të mirë se kaq, mos i kërkoni më tepër. Është ai që të gjithë njohim tashmë.
Në emisionin e të enjtes së shkuar ‘Real Story’ tek Sokol Balla, kreu i opozitës u vu përballë disa pyetjesh të vjetra dhe të reja që lidhen me të shkuarën dhe të tashmen e karrierës së tij politike. Me fjalë të tjera ju dha mundesia të sqarojë disa kapituj të mbetur mbyllur në raftet e historisë politike të dekadës së fundit. Pa e tradhëtuar për asnjë moment indin e tij prej “ikanaku politik”, Basha refuzoi të përgjigjet thuajse ndaj çdo pyetjeje që ju drejtua. Njeriu që ka fshehur gjithçka që nga koha e studimeve, nuk na “zhgënjeu” as kësaj rradhe.
Duke e shtyrë auto-lëvdatën për atë që ka bërë deri tek anëtarësimi në NATO e heqja e vizave (vitet 2009 dhe 2010), Lulzim Basha i hapi rrugë me duart e tij mundësisë së disa pyetjeve shtesë që kanë të bëjnë me rolin e tij politik në disa ngjarje të tjera të asaj periudhe kohore. Ata që e ndoqën atë emision, panë sesi kreu i opozitës i iku në mënyrë të shëmtuar dhe aspak elegante pyetjeve për 21 janarin dhe zgjedhjet e trukuara lokale, ku ai e mori mandatin e kryebashkiakut të Tiranës nmë tavolinë, me duart e Arben Ristanit. Ne do të rrisim pagat dhe pensionet, qe pak a shumë përgjigja e Lulzim Bashës për këto pyetje, duke vendosur një standart qesharak komunikimi me publikun e shumtë që e ndiqte. Ju vramë por do ju rrisim rrogat, qe domethënia e pashprehur e asaj sjelljeje, që në thelb tregon mungesë lidershipi dhe peshe, në një garë me shumë rëndësi, si ajo për postin e kryeministrit të pas 25 prillit.
Paaftësia e një lideri për të pasur një përgjigje për aspektet më të rëndësishme të karrierës së tij nuk i bën nder Lulzim Bashës. Vetëm sa rikonfirmon në mënyrë të përsëritur dobësinë e tij përballë sfidave të mëdha si kjo e zgjedhjeve aktuale. Megjithëse për këtë s’ka më dyshime prej vitesh askush që ndjek sadopak politikën shqiptare.
Në vitin 2017 një sjellje e ngjashme i kushtoi Bashës humbjen më të thellë elektorale që PD ka pasur që nga viti 1997. Këtë rradhë shpata e Damokleut është edhe më e rëndë mbi kokën e tij, pasi vështirë se do të ketë një tren tjetër për Lulzim Bashën. Dhe kur pyetjeve më të vështira ju jep përgjigjet më joserioze të imagjinueshme, prognoza nuk është e mirë. Aspak e mirë.