Ministrja e Shëndëtetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Infratrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kanë ndjekur nga afër proçesin e vaksinimit të stafeve të Avicionit Civil, i cili ka nisur sot me stafin e “Air Albania” në Qendrën e Vaksinimit “Air Albania”. Ministrja Manastirliu tha se procesi i vaksinimit do të shtrihet edhe në transportin urban.
“Ne jemi të angazhuar që të vijojmë vaksinimin jo vetëm të punonjësve të aviacionit civil por gjithashtu ta shtrimë dhe tek punonjësit e transportit, duke bashkëpunuar me Ministrinë e Infrastrukturës, për të gjithë këto subjekte të cilat ofrojnë këtë shërbim. Transporti publik është shumë i rëndësishëm, pasi ata janë direkt në kontakt dhe ofrojnë shërbime të rëndësishme për qytetarët ndaj dhe ne i kemi në prioritetet tona, për të filluar vaksinimin në një moment të shpejtë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vlerësoi vaksinimin e punonjësve të Aviacionit Civil, duke e konsideruar një grup në risk të lartë.
“Sot kemi nisur vaksinimin me të gjitha grupeve të Aviacionit Civil, nisur nga Air Albania, si një grup i riskuar duke qenë se janë gjithë kohën në fluturim. Këta kanë qenë edhe heronjtë tanë gjatë gjithë kohës së riatdhesimit, por që e kanë bërë në mbrotjet totale të kushteve nga pandemia”, tha Balluku.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se do të vijojë furnizimi me vaksina dhe theksoi objektivin për të arritur më shpejt se pranvera e ardhshme, vaksinimin e plotë të popullatës.
“Vetëm ditën e djeshme kanë mbërritur 208,000 vaksina të Sinovac dhe 8190 doza të vaksinës Pfizer dhe tashmë kemi mbi 700 mijë vaksina të mbërritura në Shqipëri. Plani ynë i vaksinimit nuk do të ndalet. Jemi të vendosur për të kryer 500 mijë vaksinimet deri në fund të majit. Dhe do të vijojmë të kemi prioritet grupet e riskuara, të shërbimeve kritike, siç janë dhe punonjësit e Aviacionit Civil; do të vijojmë me operatorët turistikë dhe me përmbylljen e tyre, në vijim do të vaksinojmë edhe punonjësit e transportit publik”, tha Manastirliu.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 345,944 doza të vaksinës ndaj COVID19, prej të cilave 264,175 vaksinime për persona mbi 60 vjeç. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.