OBSH-ja nuk është optimiste për sa i takon Covid 19-tës. Pavarësisht përpjekjeve dhe fushatave të vaksinimit të nisura në shumë vende, kriza shëndetësore sipas saj ende nuk është kapërcyer.
“Fundi i pandemisë është larg“, paralajmëroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë, edhe pse sipas tij, përmes masave tashmë të sprovuara pandemia po mbahet nën kontroll.
“Edhe ne duam që shoqëritë, tregjet, udhëtimet dhe tregtia të rihapen. Por ndërkohë pavionet e kujdesit intensiv në shumë vende janë përtej kapaciteve dhe shumë njerëz po vdesin, e kjo është në fakt diçka që mund të shmanget”, u shpreh Ghebreyesus.
Ghebreyesus kritikoi dhe faktin që ka pabarazi masive sa i përket vaksinimit ndaj koronavirusit mes vendeve të varfra dhe atyre të pasura. Rreth 87 përqind e 700 milionë vaksinimeve në mbarë botën janë realizuar në vendet e pasura, ndërkohë që në vendet e varfra janë realizuar vetëm 0,2 përqind e vaksinave ndaj koronavirusit, theksoi ai në Gjenevë.
Sipas ekspertes së OBSH-së, Maria Van Kerkhove, kurba e pandemisë po rritet në mënyrë eksponenciale. Javën që shkoi u regjistruan 4.4 milionë raste të reja në një kohë kur përpara një viti, në të njëjtën periudhë numri i infeksioneve ishte rreth 500.000.