Misioni i OSBE-ODIHR ka publikuar sot raportin paraprak mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 25 Prillit në Shqipëri. Përmbledhtazi, raporti thekson se zgjedhjet ishin përgjithësisht të mirëorganizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe gjithashtu vëren se dita e votimit ishte e qetë dhe pa incidente.

Megjithatë, ky raport vë gjithashtu në dukje një sërë shkeljesh dhe zhvillimesh shqetësuese gjatë zhvillimit të fushatës sikurse janë (1) përdorimi i postit të Presidentit për të bërë fushatë kundër qeverisë, (2) përdorimi i burimeve/ kredencialeve qeveritare në funksion të fushatës zgjedhore (3) pretendimet për keqpërdorim të të dhënave personale dhe (4) gjuhën nxitëse të dhunës të përdorur nga Presidenti.

Misioni i OSBE-ODIHR ndalet edhe tek situata e mediave në vend, duke listuar një sërë problematikash si ndikimi i pronarëve të medias që sjell në vetëcensurim të gazetarëve, kasetat e gatshme të përpunuara nga partitë politike, hapësira e ulët mediatike për partitë e vogla etj.

Për sa i përket cështjeve të ngritura më sipër, në faqen 2 të raportit paraprak OSBE-ODIHR shprehën shqetësimin e tyre për faktin se Presidenti keqpërdori tagrat e institucionit që ai përfaqëson për të bërë fushatë kundër qeverisë. Për më tepër, raporti shprehet se toni dhe fjalori i përdorur nga liderët politikë, dhe në vecanti nga Presidenti i Republikës, ishte konfrontues dhe i zjarrtë.