Policia e Tiranës ka dhënë detaje për operacionin e zhvilluar ditën e djeshme në zonë e Liqenin të Thatë në Tiranë. Operacioni i koduar “START & STOP” çoi në arrestimin e pesë personave pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së pronës.
Në pranga kanë rënë Dorjan Lamani (Qirjazi), Klodian Çypi, Halil Topalli, Redian Begaj dhe Dajvid Dosti. Sipas uniformave blu në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 12.04.2021, janë kapur në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes së banesës së shtetases B. S., të kompleksi i vilave pas qendrës tregtare “TEG”, ku kanë marrë një shumë të konsiderueshme në euro, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.
Polciia ka sekuestruar një sërë sendesh me vlerë të vjedhura, armë zjarri, para cash. Gjithashtu nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, pasi siguronin informacione dhe piketonin banesa ku kishte shuma parash dhe bizhuteri, organizonin dhe kryenin vjedhjen e tyre.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin dhe zbardhjen e ngjarjeve të tjera në të cilat mund të jenë të përfshirë këta shtetas.