Ish-deputeti, Genc Pollo ka reaguar në lidhje me humbjen e PD-së në zgjedhjet e 25 prillit. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Pollo thekson se sot ishte një ditë zhgënjyese për demokratët, ndërsa shton se tani është momenti i përgjegjësisë, qartësisë dhe i urtësisë.
REAGIMI I POLLOS
Sot është një ditë zhgënjyese dhe e trishtuar për shumë e shumë shqiptarë; por sot është ditë e hidhur për demokratët. Arsyet pse ndodhi kështu janë të shumta dhe përgjithësisht të njohura.
Sot duhen falenderuar kandidatët e aktivistët tanë për fushatën cilësore e duhet shprehur mirënjohja për votuesit tanë besnikë e të shumtë. Por tashti është edhe momenti i përgjegjësisë, qartësisë dhe i urtësisë. Roli i mëtejshëm i Partisë Demokratike është kyç për demokracinë e ligjshmërinë si dhe për perspektivën europiane të vendit. Ashtu si dhe nevoja për të filluar konceptimin e një projekti të ri besimi e shprese. GP