Pekini, kryeqyteti kinez, i vlerësuar si qyteti më tërheqës për talentet dhe ekspertët e huaj në Kinë vazhdon të kthejë vëmendjen ndaj Shqipërisë dhe gjuhës shqipe. Edhe pse në periudha të vështira të marrëdhënieve Shqipëri- Kinë, në vitet ‘80, katedra e gjuhës shqipe vazhdoi ekzistencën, duke përgatitur breza studentësh. Njësoj si edhe adhurimi kinez për filmat shqiptarë, ku një nga më të pëlqyerit mbetet “Ngadhnjim mbi vdekjen”, për muzikën, ngjarjen, aktoren Eglantina Kume, e cila u prit si aktore e Holliwood-it edhe pas 40 vitesh në Pekin.

Qendra për Hapje dhe Dialog zhvilloi webinar-in e radhës të ciklit “Gjuha shqipe në universitetet e botës”. Ai pati në qendër Katedrën e Gjuhës Shqipe në Pekin, me profesoreshat e nderuara Chen Funghua dhe Ma Sai, të njohura ndryshe me emrat shqip Moza dhe Bora.

Tirana, Pekini, Vlora dhe Gjirokastra komunikuan përmes Qendrës për Hapje dhe Dialog, me lektorët nga Universiteti “Ismail Qemali”, Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër, si dhe studentët e interesuar. Chen Fenghua, drejtoreshë e katedrës së gjuhës shqipe dhe Qendrës së Studimeve Shqiptare në Universitetin e Gjuhëve të Huaja, Pekin (BFSU) solli një panoramë të përgjithshme për katedrën dje, sot dhe nesër.

BFSU është bërë i pari universitet ku jepet gjuha shqipe në Kinë dhe i vetmi unviersitet me tri nivele të plota në kualifikimin e specialistëve të gjuhës shqipe, njohur edhe si “Djepi i diplomatëve” në Kinë. Pedogogët veteranë si Yin Changliang, Xia Zhen, Jin Bing, Zhang Linhui, Xiao Guifen dhe ekspertët shqiptarë si Agron Fiço, Ruzhdi Stringa etj. kanë krijuar një bazë të shëndoshë ttë kësaj katedre, ku janë të diplomuar 173 studentë në bachelor, 6 në mastër dhe 3 doktorantë.

Ky webinar përkoi me dy përvjetorë të rëndësishme të BSFU-së: 80-vjetori i themelimit të universitetit dhe me 60-vjetorin e themelimit të katedrës së shqipes në këtë universitet. Pas themelimit në vitin 1961 të ciklit të studimeve Bachelor, katedra është pasuruar në vitin 2000 me pranimet në nivelin Master. Më vonë, në vitin 2014 kjo katedër u pasurua me ciklin e studimeve doktorale. Përveç mësimdhënies, kjo katedër i kushton rëndësi edhe studimeve albanologjike. Prej vitit 2017 funksionon si e tillë Qendra e Studimeve Albanologjike pranë këtij universiteti.

Ky universitet konsiderohet si një model studimi për gjuhët e huaja, duke u quajtur ndryshe edhe “djepi i diplomatëve”.Prof. Nexhip Merkuri dhe prof. Spiridhulla Poçi e panë këtë takim si një mundësi për të rinisur një marrëveshje të mëparshme ndëruniversitare, e cila ekziston si një kontratë kuadër, e cila ka nevojë të çohet më tej. U përmendën takimet në konferenca shkencore ndërkombëtare të zhvilluara midis universiteteve , si dhe u theksua dëshira për të pasur programe bashkëpunimi dhe shkëmbimi. Po ashtu studentët folën për ndjesinë e tyre për studimin e gjuhës shqipe dhe për interesin e tyre në projektet e shkëmbimeve studentore.

Ma Sai, solli në vëmendje punën e bërë në fushën albanologjike, duke përmendur sidomos punën për hartimin e teksteve dhe fjalorëve. Këtë takim e bëri mjaft interesant edhe pjesëmarrja e znj. Eranda Allmetaj, eksperte e gjuhës shqipe dhe pedagoge në BFSU, e cila e ka kryer doktoraturën e saj pranë kësaj katedre dhe tashmë jep kontributin e vet si eksperte e gjuhës shqipe në këtë universitet.

Prej këtij webinar-i, ashtu si edhe në webinar-et paraardhëse të zhvilluara nga Qendra për Hapje dhe Dialog për studimin e shqipes në Mynih, Kozencë, Sofje dhe Vjenë, del edhe njëherë në pah interesi mjaft i lartë i studentëve dhe i pedagogëve për të pasur shkëmbime dhe bashkëpunime ndëruniversitare. Cikli i webinar-eve do të vazhdojë edhe me katedra të tjera ku studiohet gjuha shqipe në botë.