Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj jemi mësuar ta shohim teksa artikulon vendosmëri për realizimin e plotë të Reformës në Drejtësi. Ndërsa, sot nën petkun e kandidates për deputete të Partisë Socialiste tek Njësia 7 në Tiranë, ministrja ka përveshur mëngët dhe i ka hyrë fort një loje volejbolli me dy ekipe të gjinive të ndryshme nga FRESSH 7.
Këtë fakt e ka pohuar vetë Etilda Gjonaj në një mesazh në rrjetet e saj sociale, ku nuk e fsheh gëzimin që si kapitene e ekipit të vajzave të Fressh7, bashkë me vajzat kanë arritur një fitore jo të lehtë sportive dhe gjinore ndaj djemve kundërshtarë. Etilda Gjonaj shkruan në Facebook: “Në një lojë shumë të bukur volejbolli me Fressh #Njësia7! Gocat kundër çunave – Fituan gocat e Shtatës!”.
Gjonaj ka deklaruar se është krejtësisht e angazhuar mes roleve të saj si personi kyç i Reformës në Drejtësi, si kandidate mjaft aktive e PS në listën e Tiranës si dhe si nënë e dedikuar e një djali 10-vjeçar me emër Itien.
Ministrja Gjonaj nuk e ka fshehur ngazëllimin e fitores në parketin e vollejbollit, ndërkohë që ka zbarkuar plotësisht në Njësinë 7 duke organizuar punën, me qëllim për të arritur fitoren ndoshta më të rëndësishme të karrierës së saj politike, atë të zgjedhjeve të përgjithshme të datës 25 Prill.