Pfizer dhe BioNTech kanë bërë kërkesë për aprovim të aplikimit të vaksinës ndaj koronavirusit tek fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç. Kompanitë farmaceutike thanë se kërkesa e tyre ishte bazuar në një studim, ku më shumë se 2000 adoleshentë kishin vërtetuar se vaksina ishte e sigurt dhe efektive. Fëmijët do të monitorohen për dy vjet të tjerë, për sigurinë dhe efektivitetin afatgjatë të përgatitjes.

Në një postim në Twitter, CEO i Pfizer, Albert Burla njoftoi se kërkesa ishte bërë, duke theksuar nevojën urgjente për të zgjatur licencën e vaksinës për të përfshirë grupmoshat më të reja.

Kujtojmë se dërgesa e vaksinave kundër Covid-19, të kompanisë Pfizer Inc për Meksikën këtë javë përfshin doza të prodhuara në fabrikën e saj në Shtetet e Bashkuara dhe sasi të tjera vaksinash pritet të vazhdojnë të eksportohen në vende të tjera, i tha agjencisë së lajmeve Reuters të enjten një burim me dijeni mbi këtë çështje.

Kjo është hera e parë që një dërgesë vaksinash, e prodhuar në fabrikën e kompanisë Pfizer në Kalamazu të Miçiganit, shkon jashtë Shteteve të Bashkuara pas një kufizimi mbi eksportimin e saj të vendosur nga administrata e ish-presidentit Trump që skadoi në fund të marsit, tha burimi.