Partia Socialiste ka nisur mitingun e fitores në sheshin ‘Skënderbej’. Mijëra qytetarë i janë bashkuar takimit në fjalë, duke tejkaluar numrin e planifikuar të pjesëmarrësve përmes karrigeve të vendosura në shesh. Me zgjedhjet e 25 Prillit, Partia Socialiste çimentoi mandatin e tretë qeverisës, duke mbetur forca më e madhe politike në vend.
EDI RAMA: Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe, më e bukur e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme të atyre që kanë zgjedhur 12, por kanë gabuar me kandidatin, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe me fuqi të jashtëzakonshme dhe që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh të gjithëve ju këtu dhe kudo.
Unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, që u angazhuat si patronazhistë, koordinatorë, drejtues në këtë fushatë spektakolare. Skudara jonë mbetet kampione në fuqi, kampione përsëri! Por më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, që me urtësi dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri.
Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi! Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme përballë fatkeqësive dhe bindja ynë se ky vend bëhet dhe është përgjegjësia jonë ta bëjmë këtë vend.
Kjo është fitorja ime e parë pa dikë që po më sheh atje lart. Nëna ime Aneta. Dhe besoj se është krenare!