“Haaland? Gjithçka që është e mundur, do të bëhet. Dhe do të bëhet mirë”. Këto janë fjalët e Joan Laporta, president i Barcelonës, në prag të finales së Kupës së Mbretit. Kreu i klubit katalanas nuk i përgënjeshtroi thashethemet e tregut në lidhje me sulmuesin norvegjez, aktualisht te Borussia Dortmund. Për bomberin 20-vjeçar interesohen të gjitha klubet e mëdha europiane. Midis tyre, edhe Real Madridi. Babai i lojtarit dhe agjenti i tij, Raiola, kohët e fundit fluturuan drejt Spanjës për t’u takuar së pari me drejtuesit Blaugrana dhe më pas me ata të “Los Blancos”.
Fjalët për Neymar dhe Messi-Shumë pyetje merkatoje për presidentin e Barcelonës, i cili, megjithatë, mbajti një profil të ulët për dy emrat më të nxehtë: “Neymar? Edhe mua më pëlqen. Negociatat për rinovimin e Messit? Po ecin në mënyrë adekuate”. Sipas programit “El Món” në RAC1, presidenti i katalanasve ka sajuar një plan për ta bindur argjentinasin të qëndrojë te Barcelona. Blerja e Haaland do të ishte pjesë e këtij plani, si një nxitje për “Pleshtin”, që veç anës financiare kërkon një projekt ambicioz dhe fitues për të vazhduar në “Camp Nou”.